Kryesore SHBA: Për zyrtarët e korruptuar, ndryshimi që ne po sjellim është një...

SHBA: Për zyrtarët e korruptuar, ndryshimi që ne po sjellim është një lajm i keq

Dan Koski, përfaqësues i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, thekson se jo të gjithë zyrtarët në Shqipëri “ndajnë qëllimet tona për të përmirësuar zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë”.

Koski, i cili ka funksionin e Zv.Shefit të Misionit në Detyrë, deklaron gjithashtu se “për zyrtarët e korruptuar, ndryshimi që ne po sjellim është një lajm i keq.”

“Është si rëra në ingranazhe, e cila shumë shpejt do bëjë që aktivitetet e tyre korruptive të ndalen. Ne e dimë se ata do të luftojnë dhe do të përpiqen në çdo moment të bllokojnë përpjekjet tuaja për të çuar përpara këto qëllime të rëndësishme. Mos u stepni. Mos u shkurajoni. Vazhdoni të qëndroni në këmbë dhe të luftoni për reformat që do të forcojnë shoqërinë shqiptare për ju dhe brezat e ardhshëm. Ju besoni që në horizont është një e ardhme më e ndritur për Shqipërinë. Të njëjtën gjë mendojmë edhe ne, dhe do ta vijojmë këtë rrugëtim së bashku me ju”, thotë zyrtari amerikan.

Deklaratat e tij u bënë gjatë aktivitetit mbi Projektin për Planifikimin dhe Qeverinë Vendore të USAID/Albania.