Bota SHBA, qytetarët në radhë pasi qeveria blen 3 mld $ ushqime dhe...

SHBA, qytetarët në radhë pasi qeveria blen 3 mld $ ushqime dhe i ofron falas

San Antonio, Teksas. Radha e krijuar nga personat që janë mbledhur për të marrë ndihma ushqimore. Foto nga REUTERS

Banorët e prekur nga kriza ekonomike që ka shkaktuar pandemia e COVID-19 janë mbledhur te “Banka Ushqimore” (Food Bank) në San Antonio të Teksasit për të marrë ushqime falas.

Radhë të tilla të gjata janë parë në vende të ndryshme të SHBA-ve në javët e fundit, pasi Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka blerë 3 miliardë ushqime nga kompanitë vendase për t’i shpërndarë falas nëpër kisha dhe grupe të ndryshme që ofrojnë ndihmë.

Me miliona amerikanë kanë mbetur me bizneset e mbyllura dhe janë regjistruar për papunësi javët e fundit, për shkak të bllokimit që i është bërë ekonomisë.

Në disa prej shteteve të Amerikës ka pasur protesta, pasi guvernatorët përkatës kanë refuzuar urdhrin e presidentit Donald Trump për të rihapur ekonominë.

SHBA-të janë vendi më i prekur në botë nga COVID-19, me 700 mijë të infektuar dhe 39 mijë të vdekur.

Në të gjithë botën janë regjistruar më shumë se 2.3 milionë të infektuar dhe 161 mijë të vdekur.

Presidenti amerikan ka akuzuar Kinën se ka mbajtur të fshehtë numrin e të vdekurve, duke mos treguar se sa i rrezikshëm ka qenë virusi, para se të krijohej pandemia.

Ai premtoi se nëse vërtetohet që nuk ka qenë gabim, por është bërë me dijeninë e autoriteteve, qeveria kineze do të ketë pasoja.