Opinione SHBA, shteti me sistemin e qeverisjes më unik në botë

SHBA, shteti me sistemin e qeverisjes më unik në botë

Dr. Bledar Kurti

Dr. Bledar Kurti

Sot SHBA feston Ditën e Falënderimeve. Një traditë kjo që e ka origjinën nga pelegrinët e parë protestantë e kalvinistë që në vitin 1619, e zyrtarizuar si festë kombëtare nga President i parë i Shteteve të Bashkuara, George Washington në vitin 1789 si “Një ditë falënderimi dhe lutjeje publike, që duhet respektuar duke pranuar me zemra mirënjohëse favoret e shumta dhe mirënjohëse të Perëndisë së Plotfuqishëm”.

Pelegrinët e parë ndërtuan një shoqëri shembullore, Qytetin Mbi Kodër, mbi të cilën sytë e botës do drejtoheshin për nga ajo. Dokumentat politike të epokës së themelimit (1760-1805) dhe referencat e etërve amerikanë dëshmojnë se sistemi politik dhe organizativ u bazua mbi shembujt më të mirë moral e filozofik. Nga të gjitha burimet e citimeve, e para ishte Bibla, me 34% të citimeve. Të tjerët ishin Montesquieu, me 8.3%, Blackstone, me 7.9%, dhe Locke, 2.9%.

Me krijimin e qeverisë, SHBA u bazua mbi konceptin e ndarjes së pushteteve. Ky parim vjen nga trias politica; një model qeverisje i zhvilluar në Greqinë e lashtë dhe u përhap në Republikën Romake. Ky parim u bë i njohur nga iluministi francez Baron de Montesquieu. Por nëse iluminizmi dhe humanizmi e shihnin ndarjen e pushteteve për të siguruar të drejtën e individit apo sundimin e ligjit, për të krishterët amerikanë parimi i ndarjes së pushteteve ishte edhe më i hershëm se Greqia dhe Roma, dhe siguronte tre pushtete të ndryshme por me një kokë të vetme. Hartuesit e Kushtetutës Amerikane vendosën të krijojnë një shtet mbi shembullin e republikës Hebraike, ku qeverisja bazohej mbi tre shtylla: legjislativi, ekzekutivi, dhe gjyqësori, por të treja nën autoritetin absolut të Hyjit. Kjo ndarje pushtetesh vinte nga vargu biblik i Isias: “Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjvënësi ynë, Zoti është mbreti ynë.” Sipas këtij vargu biblik kongresi amerikan ishte një pushtet por mbi të ishte Hyji si “ligjvënësi ynë”, mbi presidentin ishte Hyji si “mbreti ynë” dhe mbi gjyqësorin ishte po Hyji si “gjykatësi ynë.”

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme. Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit. Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues.

Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtëpërdrejtë nga populli por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet. Etërit amerikanë nuk besonin në demokracinë popullore dhe filozofinë e sundimit të shumicës, por hirarkinë elitare të përzier me demokraci përfaqësuese. Pra një Republikë.

Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi. Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.

Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.

Megjithatë sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik.

Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë. Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizontale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjial si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative.

Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit.

Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë. Ndaj amerikanët kanë shumë e shumë arsye për të qenë falënderues, jo vetëm në Ditën e Falënderimeve, por çdo ditë të vitit.