Aktualitet SHBA-të japin 920,000 $ për burgjet, Rama: Miq të përhershëm në çastin...

SHBA-të japin 920,000 $ për burgjet, Rama: Miq të përhershëm në çastin e duhur

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar Shtetet e Bashkuar të Amerikës, për mbështetjen që ka dhënë për reformat që qeveria e tij ka ndërmarrë.

Rasti më i fundit është fondi shtesë që SHBA ka dhënë për regjimin special të izolimit të vazhdueshëm të individëve me profil të lartë kriminal, ose si quhet ndryshe regjim “Bis 41”.

Rama shkruan se përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA, me ekspertë të administrimit të regjimit special të izolimit, si edhe teknologji të lartë monitoruese, shënon një hap të madh përpara.

Po ashtu, kryeministri Rama thotë se mbështetja e vazhdueshme e SHBA si dhe fondi shtesë së fundmi, është një mesazh të qartë, për këdo që dyshon në vendosmërinë tonë për ta çuar deri në fund, luftën e paprecedentë që i kemi hapur krimit.

Një ditë më parë, ambasada e SHBA njoftoi se kishte akorduar një fond shtesë prej 920,000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri.