Kryesore SHBA, thirrje liderëve të partive: Kandidatë të pastër, do të mbani përgjegjësi

SHBA, thirrje liderëve të partive: Kandidatë të pastër, do të mbani përgjegjësi

Kur kanë mbetur 24 orë nga afati që kanë partitë për të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve, ambasadorja amerikane Yuri Kim u ka dhënë një mesazh të gjithë liderëve politikë.

Ajo përsërit qëndrimin që të gjithë kandidatët nuk duhet të jenë persona që kanë probleme me ligjin: “Nesër është afati i fundit që partitë politike të paraqesin listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 Prillit. SHBA ka qenë tepër e qartë për përgjegjësinë e liderëve që duhet të sigurojnë kandidatë të pastër sipas ligjeve shqiptare dhe përcaktimeve nga Sekretari Amerikan i Shtetit. Shqiptarët nga të gjitha sferat e jetës më thonë se shqetësimi më i madh i tyre është korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmëria që kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre”.

Diplomatja amerikane në Tiranë shprehet se do të jenë liderët e partive nëse në listat nuk sigurohen kandidatë të pastër.

“Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë nëse udhëheqësit e kanë kuptuar mesazhin; nëse ata janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE dhe nëse janë të gatshëm të marrin vendime të vështira dhe të nevojshme për një të ardhme më demokratike. Presim që liderët e partive të tregojnë lidership të vërtetë. Ne do të mbështesim fuqimisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve teksa do të shqyrtojë listat e kandidatëve, e cila është një detyrë që para së gjithash duhet të ndërmerret në emër të votuesve shqiptarë”, përfundon mesazhin ambasadorja amerikane.