Bota SHBA: Zyrtari i lartë i shëndetësisë paralajmëron se gjendja po keqësohet

SHBA: Zyrtari i lartë i shëndetësisë paralajmëron se gjendja po keqësohet

Zyrtari kryesor shëndetësor i qeverisë amerikane dha të hënën një mesazh të zymtë, duke paralajmëruar se gjendja e koronavirusit në vend po keqësohet.

Në komentet që bëri për televizionin NBC, Dr. Jerome Adams tha: “Dua që Amerika të kuptojë se këtë javë gjendja do të keqësohet, duke paralajmëruar se një pjesë e njerëzve nuk po e zbatojnë si duhet distancimin social.”

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në SHBA sot kishte 35,530 të konfirmuar pozitivë me koronavirus. Numri i vdekjeve deri tani është 473.

“Shumë njerëz mendojnë se kjo nuk mund t’u ndodhë atyre. Duam që me çdo kusht secili të qëndrojë në shtëpi”, bëri thirrje zyrtari.

Shtetet e Bashkuara janë pothuajse në gjysmën e periudhës 15 ditore, në të cilën sipas planit duhet të zbutet ndjeshëm numri i rasteve me koronavirus, për të mos lejuar mbingarkesën e objekteve shëndetësore me persona të sëmurë rëndë.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në tri shtetet e goditura më rëndë nga shpërthimi i koronavirusit COVID-19.

Trupat do të vendosen në Nju-Jork, Kaliforni dhe Uashington për të ofruar ndihmë mjekësore dhe për të ngritur stacione mjekësore, ndërkohë që rritet numri i vdekjeve dhe i të prekurve në mbarë vendin.

Dyshohet se furnizimet kryesore mjekësore për Nju Jorkun do të jenë të pamjaftueshme

Një projektligj për të financuar përpjekjet e ndihmës kombëtare është bllokuar në Senat.

Demokratët e opozitës dëshirojnë që projektligji i stimulimit të urgjencës, i cili vlen pothuajse 1.4 trilionë dollarë, të përfshijë më shumë para për spitalet shtetërore dhe vendore, ndërsa republikanët e Trump po bëjnë presion për veprime të shpejta për të siguruar tregjet financiare.