Politika Shehaj: Nuk kam biseduar me Yuri Kim për Berishën. PD i humbi...

Shehaj: Nuk kam biseduar me Yuri Kim për Berishën. PD i humbi zgjedhjet, Basha gaboi

Agron Shehaj është një prej kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike në zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën e 13 Qershorit. Ai ka qenë i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku ka folur për vizionin e tij për PD-në si dhe një sërë çështjesh të tjera, të rëndësishme në selinë blu.

Ndër to edhe vendimi për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Shehaj tha se nuk komenton këtë vendim të DASH, të cilin në fakt e quan politik. Sipas tij, e rëndësishme është që në këto momente të mendohet për të ardhmen e PD-së. Megjithatë ai i ktheu përgjigje gazetarëve në studio duke thënë se nëse do të jetë kryetar partie, në grupin e tij parlamentar do të jetë edhe Sali Berisha.

I pyetur nëse kjo çështje e dëmtonte PD-në nëse nuk do të kishte një qëndrim të qartë, ai tha se kjo nuk do të kishte ndikim.

Ndërkohë, për takimin me ambasadoren amerikane Yuri Kim tha se nuk ka biseduar me të për vendimin ndaj Berishës.

“Kam një mendim, por kam preferuar të mos flas për vendimin politik të SHBA për Berishën. Nuk ndikon në ardhjen në pushtet të PD-së”, tha ai duke u shprehur se PD i humbi zgjedhjet.

“Partia Demokratike nuk është në pushtet, kjo është një humbje. Por nuk duhet të diskutohet kjo, duhet të flasim për PD-në tani, si mund ta përmirësojmë këtë”, tha ai.

“PD gaboi me djegien e mandateve dhe vendimin për të mos hyrë në zgjedhjet lokale”, tha ai.