Kryesore Shekspiri i jep fund flirtit PD-LSI

Shekspiri i jep fund flirtit PD-LSI

Uilliam Shekspiri jetoi në një prej epokave më të turbullta e emocionuese të historisë angleze – një periudhë prej epidemive, trazirave dhe tensioneve politike dhe fetare – dhe u bë një nga dramaturgët më të famshëm të historisë.

Ai tashmë ka hyrë edhe në luftën politike shqiptare, ndërsa PD dhe LSI i kanë dhënë fund njëherë e mirë flirtit të tyre disavjeçar.

Lulzim Basha e ka akuzuar LSI se ka bërë për vete votues demokratë me pazare.

Pas marrëveshjes me Edi Ramën, që prej nisjes së kësaj fushate Basha po u bën thirrje të ikurve të rikthen në shtëpinë e tyre, Partinë Demokratike.

Duke iu referuar Shekspirit, Basha tha sot nga Kruja se britaniku i madh ka edhe një tjetër vepër, “Tregtari i Venedikut”.

Tregtarit të Venedikut i them ta marrë me qetësi dhe dashuri faktin që SHKP e tij do të shkojë drejt falimentimit total më 25 qershor, skllavërimi i votuesve merr fund. Pazaret politike marrin fund në 25 qershor, opozita e bashkuar dhe PD me votën e qytetarëve do te qeverisin republikën e re”, tha Basha.

Duke iu referuar LSI-së, Basha ka theksuar vazhdimisht se koha e pazareve ka përfunduar, duke lënë të kuptohet se me LSI nuk do të bëjë koalicion as pas zgjedhjeve edhe nëse do t’i duhen votat e saj për të marrë pushtetin.

“Merre me qetësi dhe dashuri, mos e shkel etikën se je President i zgjedhur, edhe pse me Pazar, lëre Petritin ta marrë faturën e falimentimit të SHPK, matrapazllëqet nuk kanë vend në republikën e re”, akuzoi Basha.

Por, po kaq i ashpër dhe reagimi i fundit i LSI-së, kreu i ri i saj Petrit Vasili i ka hedhur përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, dorashkën e sfidës Lulzim Bashës, ndërsa e akuzon si mosmirënjohës si ndaj Berishës ashtu dhe Metës, por pa specifikuar cilat janë favoret që ky i fundit i ka bërë e për të cilat Basha nuk i është mirënjohës.

I dashur Luli, nga Kruja, nën dehjen e hashashit, më zure dhe mua në gojë.

Mosmirënjohjen ndaj Berishës dhe Metës ta njoh mirë.

E di mirë edhe që ke hequr dorë nga objektivi yt dhe i PD-së për kryeministër dhe president.

Megjithatë, për të vërtetat e shpk-ve të tua dhe shumë të vërteta të tjera, që unë di nga takime shumë të rëndësishme, meqënëse edhe kandidati tjetër nuk po ta fishkëllen, edhe në respekt të demokratëve të pres të përballemi në tv, shesh a ku të duash.

Ky, Luli, është një shans edhe për ty”, ishte deklarata e Vasilit.

Tashmë pritet episodi i radhës.

Shekspiri ka shkruar me dhjetëra drama./ American Eye