Kryesore Shembet Teatri Kombëtar: Kronologjia e një dite që do hyjë në histori

Shembet Teatri Kombëtar: Kronologjia e një dite që do hyjë në histori

Pavarësisht kundërshtimit dhe rezistencës së artistëve dhe shoqërisë civile, Teatri Kombëtar është kthyer sot në një grumbull rrënojash. Ka qenë ora 04:30 e mëngjesit të së dielës kur fadromat nisën shembjen e godinës, duke shënuar në këtë mënyrë edhe fundin e një beteje që vijoi prej dy vjetësh e gjysmë.

Aksioni

Forca të shumta policie dhe ato të RENEA-s, ndërhynë për të nxjerrë jashtë aktorët dhe aktivistët e ngujuar brenda godinës. Tentativat e artistëve për të ndaluar shembjen e Teatrit, çuan edhe në tensione e përplasje të forta mes tyre dhe efektivëve të policisë.

Disa prej artistëve dhe përfaqësues të opozitës u shoqëruan dhe më pas u lanë të lirë.

Si u arrit në këtë vendim

Qeveria e transferoi tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë, me anë të një vendimi të marrë më 8 maj dhe të botuar brenda të njëjtës ditë në Fletoren Zyrtare.

Përpara vendimit, 5 522 metra katrorë të godinës së teatrit dhe të oborrit të tij ishin në pronësi të Ministrisë së Kulturës.

Qeveria ka deklaruar se teatri i ri do të ndërtohet me fondet e buxhetit, dhe për të do të përdoret projekti i arkitektit Bjarke Ingels.

Pasi e mori në pronësi, Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk ka pritur gjatë dhe të enjten e kaluar mori vendimin për shembjen e Teatrit.

Edhe pse mënyra e marrjes së vendimit u cilësua jo transparente, Bashkia deklaroi se Teatri do të shembet bazuar në akt-ekspertimin e Institutit të Ndërtimit.

Artistët: Simboli mbetet

Regjisori Edmond Budina, një nga mbrojtësit e Teatrit, deklaroi se shembja e ndërtesës shënon edhe ditën e vendosjes së një diktature në Shqipëri.

Budina tha se pavarësisht shembjes së godinës, Teatri mbetet simbol i qëndresës përballë forcës së pushtetit, nga e cila artistët nuk do të tërhiqen.

“Shembën muret, por jo simbolin. Ne nuk tërhiqemi. Nuk ka përfunduar asgjë. E dimë shumë mirë që diktatura nuk bie në një ditë. Rezistenca jonë mbi dyvjeçare nuk ishte e rastësishme. Ishte një maratonë, jo një sprint. Do të na ketë nga mbrapa, do të na ketë në ndërgjegje”, tha ai.

Opozita nis protestat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas mbledhjes me aleatët, njoftoi se opozita do të nisë nga sot përgatitjen e protestave.

Basha tha se kur të vijë në pushtet do të restaurojë Teatrin Kombëtar dhe do të ndëshkojë autorët e kësaj ngjarje, Edi Rama. Ai tha se gabimin e 17 majit 2017, nuk do ta përsërisë më: “Si sot 3 vjet më parë unë u ula me këtë njeri me shpresën dhe besimin që mund të arrinim në një marrëveshje në të mirë të popullit dhe për të garantuar një proces zgjedhorë, koha tregoi se u gabova. Ky gabim nuk do të përsëritet”.

Veliaj pas shembjes së Teatrit: Ju shtrij dorën e bashkëpunimit

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në një deklaratën dërguar mediave nga zyra e shtypit e Bashkisë së Tiranës, Veliaj thotë se është momenti për bashkim dhe jo për përçarje.

“Unë sot, me zemër në dorë, dua t’ju shtrij dorën, t’ju hap krahët dhe dua që të bashkëpunojmë sesi ne këtë projekt mund ta bëjmë akoma më të mirë seç e kemi sot”, ka thënë ndër të tjera kryebashkiaku Veliaj.