Opinione Shëndeti publik nuk duhet të jetë mall tregu

Shëndeti publik nuk duhet të jetë mall tregu

Çapajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj

Bota u kap në befasi nga koronavirusi i ri, dëgjojmë të thuhet e të shkruhet shpesh. Në fakt parashikimet nuk kanë munguar. Dhe s’janë filma a romane fantastiko shkencorë, por studime e paralajmërime shkencëtarësh seriozë.

Në vitin 2012 studiues gjermanë të institutit Robert Koch i kanë dorëzuar Bundestangut një studim për pasojat e një pandemie të shkaktuar nga një koronavirus që e quanin Mod – Sars.

Ashtu si virusi i tanishëm edhe i parashikuari prej studiuesve kalon nga kafshët tek njeriu në Azi dhe pastaj përhapet botërisht. Çuditërisht ka të njëjtat simptoma, të njëjtën mënyrë shpërndarjeje dhe sjell rreziqe të ngjashme për shëndetin publik, për ekonominë dhe jetën sociale.

Edhe Bill Gates tre vjet më parë, në një ligjëratë tek Ted Talks paralajmëronte se rreziqet më të mëdha botës nuk do t’i vijnë nga armët bërthamore por nga viruset.

Paralajmërime të tilla kanë rënë në vesh të shurdhër. Ka të ngjarë që bota, me mënyrën si vepron sot, nuk është e aftë t’u dalë para pandemive. Dhe ky handikap buron nga prirja që gjithçka të lihet në dorë të tregut.

Ishte mungesa e tregut që pengoi përfundimin e kërkimeve për vaksinën kundër sarsit. Me që vala e infektimit u praps, gjigandët e botës farmaceutike nuk patën interes të harxhonin për vaksinën që, po të ishte gati sot mund të ndihmonte shumë kërkimet për vaksinën kundër sars – cov 2.

Tregu rregullon shumë gjëra por, me sa duket nuk mund të rregullojë shëndetin publik. Nevojat e këtij sektori duhen parë mbase si interesa strategjike të mbarë njerëzimit, interesa që janë ekzistenciale dhe si të tilla nuk mund të lihen në dorë të tregut.

Bota sot shpenzon thesare të tëra për armët bërthamore. Këto si rregull nuk janë në treg, nuk shiten e blihen. Nuk është tregu që nxit hedhjen e këtyre thesareve për të krijuar stoqe, të cilat vështirë se do përdoren ndonjëherë. Janë shpenzime për të ruajtur ekuilibra gjeostrategjikë. Dhe mbase ia ka vlejtur, falë tyre janë shmangur kasaphana botërore si ato të shekullit XX.

Shëndeti publik global është po aq i rëndësishëm sa ekuilibrat gjeostrategjikë, mbase edhe më, ndaj nuk mund të rregullohet nga tregu, kërkon qasje dhe zgjidhje strategjike.

Në ligjëratën që përmenda Bill Gates fliste për një sistem shëndetsor global dhe hiqte paralele me ushtritë, si ato të NATO-s psh, që zhvillojnë stërvitje të vazhdueshme dhe kanë efektivë rezervë gati për t’i dislokuar.

Diçka të ngjashme duhet të bëjë edhe sistemi shëndetësor global, sugjeronte Gates, të simulojë lojëra mikrobike, duke marrë shembullin e lojërave ushtarake.

Por deri tani elitat politike botërore nuk para kanë dëgjuar nga ky vesh dhe s’ka siguri nëse do dëgjojnë edhe pasi të paguhen harxhet e kësaj pandemie. Nuk dihet sa do jenë, por e sigurt është që do shlyhen me jetë njerëzish, kryesisht jetë hallexhinjsh që do shuhen nga lëngata dhe ca më shumë nga recesioni, papunësia e varfëria.