Kryesore Shengeni Ballkanik, Vuçiç: Nuk ka Jugosllavi, vetëm të mira për qytetarët serbë...

Shengeni Ballkanik, Vuçiç: Nuk ka Jugosllavi, vetëm të mira për qytetarët serbë dhe shqiptarë

Tre liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç kanë dalë në një konferencë për shtyp pas Samitit të Ohrit në kuadër të ashtuquajturit “Mini Shengeni Ballkanik”.

Në këtë samit, temë kryesore e bisedimeve kanë qenë 4 liritë e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor; liria e lëvizjes së njerëzve; mallrave; shërbimeve; kapitaleve. Kosova nuk u bë pjesë e këtij takimi, me presidentin Thaçi që e cilësoi atë një ditë më parë të pakuptimtë për shkak se Bosnja dhe Serbia nuk e njohin vendin e tij.

Si mikpritës i këtij samiti, ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ai që mori i pari fjalën në konferencën për shtyp. Sipas kreut të qeverisë maqedonase, kjo nisëm paraqet një ëndërr të re për qytetarët e vendeve tona, një Ballkan të ri.

“Paraqesim një ëndërr për qytetarët e vendeve tona, një Ballkan të ri Perëndimor, me më shumë investime për të rinjtë. Ftohen 6 vendet e tjera të Ballkanit për të bërë më shumë për axhendën europiane. Në këto rrethana, duhet të pajtohemi se Ballkani po ndryshon. Një nismë e tillë përcjell mesazhin se mbështetemi dhe nga partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Zaev.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e konsideroi nismën shumë të rëndësishme që do të sjellë qarkullimin më të shpejtë të mallrave dhe një kursim prej 260 milionë eurosh. Sipas tij, ndryshimet e do të shihen brenda një afati të shkurtër kohor. Ai përsëriti dhe njëherë idenë se kjo nisëm nuk ka lidhje fare me rikrijimin e ish Jugosllavisë.

“Unë do të flas për punët konkrete. Do të mundësojmë një qarkullim më të shpejtë të kamionëve. Kursimi do të jetë 260 milionë euro. Nisma sjell rritje të eksporteve të Shqipërisë që të shkojnë më shpejt në Serbi. Të këmbejmë inxhinierë e punëtorë. Të rrisim tërheqjen mes shteteve. Për maksimumi dy vjet do të shihni ndryshimet e ndjeshme. Këto janë ndryshime të mëdha, dhe prandaj jam i shqetësuar që dallimet në udhëheqësi shihen në rezultatet që do të sjellë kjo nismë. Rama është nën presion. Gjatë fushatës më fajësuar për Rrugën e Nishit se po bëja Shqipërinë e Madhe. Ata që më sulmuan, morën 12% më pak vota. Nuk ka Jugosllavi, ka vetëm një të mirë dhe më normale për njerëzit tanë”, tha presidenti serb.

Për kryeministrin Edi Rama qëllimi kryesor i kësaj nisme është lëvizja e lirë e njerëzve në Ballkan.  Kreu i qeverisë njoftoi se mbledhja e radhës do të mbahet në Durrës, ku do të marrë pjesë dhe shefi i ri për politikën e jashtme të BE.

“Të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë nismë. Kjo nismë ka rëndësi për lëvizjen e lirë të njerëzve në Ballkanin Perëndimor. E gjithë pjesa tjetër është e shkruar dhe e miratuar nga të 6 vendet në takime të njëpasnjëshme. Kjo është një nismë për të shtyrë procesin që vjen si vullnet i brendshëm. Miqtë tanë ishin të pranishëm në këtë takim. Nëse për dikë përbën shqetësim kjo nuk përbën problem për nismën. Ramë dakord që takimi i radhës të mbahet më 21 dhjetor në Durrës. Në takimin e Durrësit do të marrë pjesë dhe shefi i ri për politikën e jashtme në BE, Borel që merr stafetën nga Mogherini”, tha Rama.