Kryesore SHËNIM / Të gjitha rrugët të çojnë në…zgjedhje

SHËNIM / Të gjitha rrugët të çojnë në…zgjedhje

Protesta e opozitës pas 10 ditësh duket se nuk ka ndërmend të ndërpritet. Tashmë kërkesat e Bashës janë të qarta, duhet qeveri teknike për të zhvilluar zgjedhjet e 18 qershorit.

Për këtë, mediat pranë opozitës janë duke artikuluar edhe disa skenare se si mund të arrihet kjo. Shpresa më e madhe e tyre është Ilir Meta. Demokratët janë duke ëndërruar se do të kriset koalicioni i majtë dhe do të rrëzohet qeveria “Rama”.

Mirëpo, në gjithë këtë histori demokratët harrojnë vetëm një detaj i cili është shumë i rëndësishëm, që në çdo rast kjo krizë nëse është e tillë do të zgjidhet me zgjedhje.

Le t’i marrim skenarët me radhë.

Nëse ikën Ilir Meta dhe Edi Rama nuk mban dot qeverinë, duhet që një shumicë tjetër të krijohet në parlament, që të ketë një qeveri tranzitore.

Në këtë rast do jetë thjesht një qeveri që do të zhvilloj zgjedhjet.

Ajo s’do të marr asnjë vendim dhe për më tepër s’do ketë as mundësi të luftojë krimin dhe trafiqet në kaq pak kohë.

Pra me përjashtim të faktit se s’do të jetë Rama kryeministër shumicën e re do e krijojnë zgjedhjet.

Një mundësi tjetër është nëse Ilir Meta nuk ikën, por Rama vendos që të afroj datën e zgjedhjeve brenda 45 ditëve.

Në këtë rast opozita do të ketë vetëm një rrugë të marrë pjesë pa bërë fushatë fare. Edhe në këtë rast shumicën e re do ta krijojë vota e shqiptarëve.

Rasti i tretë që është më i mundshmi, është që zgjedhjet të mbahen më 18 qershor siç e ka përcaktuar presidenti, dhe si do që të dalin koalicionet sërish shumica e re do të krijohet nga votat.

E thënë më shkurt, kërkesat e opozitës në këto momente janë thjesht një lojë që nuk prodhon rezultat.

Ajo që Basha dhe PD duhet të llogarisin mirë është se si i ka punët me shqiptarët.

Nëse ka shumicë ai fiton me apo pa Ramën kryeministër. Por me sa duket frika e demokrateve është se shqiptarët që besojnë te ai janë ende pakicë dhe kjo e trembë atë jo vetëm se nuk bëhet dot kryeministër, por mund të rrezikojë dhe postin e kryetarit të partisë./American Eye