Sport Shënoi golin e parë në Serinë A, Kumbulla: Inspirohem nga Chiellini që...

Shënoi golin e parë në Serinë A, Kumbulla: Inspirohem nga Chiellini që kur kam qenë fëmijë

5 tetori do të jetë një datë e shënuar për mbrojtësin e Kombëtares, Marash Kumbulla, i cili ka shënuar golin e parë në Serinë A mbrëmjen e së shtunës. Një gol, që i ka hapur rrugën fitores 2-0 të Veronës ndaj Sampdorias. Mbrojtësi 19-vjeçar shënoi me kokë që në fillim të ndeshjes, pas një krosi nga goditja e këndit. Një gol tipik mbrojtësi. Shtypi italian i ka thurur elozhe djaloshit shqiptar, që edhe pse në moshë të re, është shndërruar në titullar fiks në mbrojtjen e Veronës, bashkë me kosovarin Amir Rrahmani.

“Ishte një emocion i papërshkrueshëm të shënoja golin e parë me Veronan, veçanërisht në Seria A. Pashë hapësirën dhe shkova”, deklaroi Kumbulla.

“Golin ia dedikoj prindërve të mi, familjes time dhe të dashurës time. Jam shumë i lumtur, veçanërisht për fitoren e skuadrës që është shumë e rëndësishme. Pas dëmtimit të vitit të kaluar, në grumbullim u prezantova për të dhënë maksimumin, me objektivin për të bërë për vete trajnerin. Ai më dha besim dhe unë duhet ta falenderoj”, vijoi mbrojtësi shqiptar.

“Inspirohem nga Chiellini që kur kam qenë fëmijë, për mënyrën se si luan. E pata nisur si mesfushor kur isha i vogël, më pas u spostova mbrapa. Nga Juric kam mësuar shumë gjëra, tentoj gjithmonë që ta shpërblej”, u shpreh futbollisti i kombëtares së Shqipërisë.