Aktualitet Shërbim prove për tre gjyqtarët e El Clasico-s

Shërbim prove për tre gjyqtarët e El Clasico-s

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi dënimin me 4 vjet shërbim prove për tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Petrit Çeno, Klinton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, të akuzuar për korrupsion. Gjithashtu, Apeli vendosi që gjyqtarët nuk mund të ushtrojnë funksione publike për 3 vite.

Dy vjet shërbim prove u vendos edhe për biznesmenin Namik Sadik, i akuzuar për korrupsion aktiv. Më herët, Shkalla e Parë i kishte dënuar gjyqtarët me nga dy vite burg, pasi kishin përfituar nga gjykimi i shkurtuar.

Në tetor të 2014, Petrit Çeno, Klinton Spahiu dhe Petraq Dhimitri udhëtuan drejt Spanjës për të parë ndeshjen e futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës me shpenzime të biznesmenit Namik Sadiku.

Pagesa për udhëtimin në Spanjë për të parë El Clasicon, sipas prokurorisë, lidhej pikërisht me një vendim në favor të biznesmenit.

Sadiku ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri.

Biznesmeni ishte dënuar me një vit heqje lirie në të njëjtën proces që u mbajt në tetor të 2019-s.