Aktualitet Shërbime pa sportele edhe në bujqësi, përfitues 75 mijë fermerë nga projekti...

Shërbime pa sportele edhe në bujqësi, përfitues 75 mijë fermerë nga projekti digjitalizimit

Qeveria shqiptare me mbështetjen e Japonisë dhe FED invest, po synon zgjerimin e financimit dhe digjitalizimin e sektorit rural përmes projektit “Përfshirja Financiare e Familjeve të Vogla”. Për të diskutuar rreth këtij projekti u mblodhën në një takim në Tiranë për të ndarë arritjet e përbashkëta ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, Kryepërfaqësuesi i Zyrës së JICA për Ballkanin, Ueki Masahiro, si dhe zyrtarë të ndryshëm qeveritarë dhe të ftuar të tjerë. Ministrja Ibrahimaj në fjalën e saj vlerësoi punën e zhvilluar në këto vite për zbatimin e këtij projekti që ka rezultuar i suksesshëm falë bashkëpunimi të shkëlqyer të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, JICA dhe FED Invest.

“Nëpërmjet Projektit FIAS është bërë i mundur përmirësimi i përfshirjes financiare të ekonomive dhe fermave familjare në zonat rurale në Shqipëri. Një arritje shumë e rëndësishme e këtij projekti, është krijimi i një qendre Agro Biznesi e ngritur në Lushnje (Qendra ABA) nëpërmjet të cilës synohet përmbushja e nevojave të çdo fermeri shqiptar me qëllim zhvillimin e fermave familjare në zonat rurale në Shqipëri, zhvillimin e biznesit dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive financiare”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj theksoi se, “një nga nismat e Qeverisë është “Revolucioni Digjital, për lehtësimin e qytetarit nga pengesat në marrjen e shërbimeve. Qendra ABA është një shembull që përkon me nismën e Qeverisë për Revolucionin Digjital, ndaj shpresoj që suksesi i nisur i këtij projekti dhe bashkëpunimi të shkëlqyer të shikohet nga Qeveria Japoneze si një mundësi për të vijuar më tej këtë bashkëpunim drejt zhvillimit të përfshirjes financiare, aksesit në financë, edukimit financiar dhe digjital”. Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, gjatë fjalës së tij, tha se “sot jemi këtu për të festuar si skuadër, punën e palodhshme të bërë në një periudhë më shumë se 4 vite e gjysmë, të ekspertëve japonezë dhe shqiptarë për Përfshirjen Financiare të Familjeve të Vogla” në Shqipëri.”

Takada vuri në dukje se një nga shtyllat kryesore të politikës se Japonisë për zhvillim, është rritja e sigurisë njerëzore, duke fuqizuar individët dhe komunitetet, përpjekje të cilën a materializojmë në Shqipëri përmes këtij projekti për rritjen e aksesit në financa për ata që nuk e kanë pasur këtë mundësi më parë; Banking online në gamën e plotë të shërbimeve, si llogari rrjedhëse, Teknologji e avancuar për menaxhimin e proceseve që lidhen me dhënien e shpejtë dhe pa probleme të kredive për përfituesit në zonat rurale

Kjo konferencë po zhvillohet në vitin që shënon 100 vjetorin e marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Japonisë. “Megjithatë, kjo sipërmarrje serioze është vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe sfiduese për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm të familjes së pronarëve të vegjël në zonat bujqësore dhe rurale. Pala japoneze mbetet e hapur, për të kontribuar më tej në konsolidimin arritjeve dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve që do të sjellin zhvillimin e mëtejshëm bujqësor dhe rural të vendit, nëse një gjë e tillë do të jetë në dëshirën dhe konsideratën e autoriteteve shqiptare” deklaroi ambasadori.

Zana Konini drejtoreshe e projektit FIAS në fjalën e saj vuri në dukje se, përfshirja financiare po merr vëmendje të madhe në axhendat qeveritare të pothuajse çdo vendi. “Covid 19 përshpejtoi risinë dhe prirjet teknologjike, teksa Qeveria e Shqipërisë ka nisur kohët e fundit një proces të digjitalizimit të shërbimit publik, i cili do të ketë efekte të mëdha në jetën tonë të përditshme dhe aksesin në finance”, tha Konini, teksa bëri të ditur se, “projekti FiAS filloi në shkurt të viti 2018 dhe sot në fund të tij rezultatet janë të prekshme jo vetëm në rritjen e përdorimit të produkteve dhe shërbimeve, por edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit, zgjerimin dhe digjitalizimin e ofertave për anëtarët, Qendrën ABA, edukimin financiar, etj.

Përfaqësuesi i Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), UEKI Masahiro u shpreh se “është një kënaqësi e veçantë, të pranojmë sot se së bashku me Qeverinë e Shqipërisë, kemi realizuar me sukses zgjerimin e shërbimeve financiare të FED invest, duke rinovuar Sistemin e tyre Bankar (CBS), si dhe pajisjen me teknologjinë e informacionit të cilat tashmë mund të ofrojnë akses financiar, me një sërë produktesh dhe shërbimesh, si shërbime pagesash, çeqe, mobile banking, për ata individë dhe grupe sociale që deri vonë nuk kanë përfituar këto shërbime”.

Përmes bashkëpunimit ndërmjet ekipit zbatues shqiptar dhe japonez, projekti ka kontribuar me sukses në përmirësimin e përfshirjes financiare të familjeve të vogla rurale në Shqipëri. Projekti e arriti këtë duke zhvilluar produkte të reja financiare dhe shërbime jo financiare që i përgjigjen në mënyrë fleksibile nevojave të fermerëve. Kjo është mundësuar duke forcuar kapacitetet e Shoqërisë së Kursim Kreditit, FED invest, për të ofruar shërbime financiare në zonat rurale të vendit. Fokusi i zhvillimit të kapaciteteve të Projektit përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, nga përmirësimi i kapacitetit të IT-së të FED invest deri te trajnimi i stafit bazuar në parimin klienti në qendër, si dhe ofrimi i edukimit financiar dhe digjital për fermerët. Projekti ka punuar në drejtim të përmirësimit të jetesës së 75 mijë fermerëve të vegjël përmes rritjes së kapacitetit të FED invest dhe përmirësimit të shërbimeve që u ofrohen atyre.