Opinione Shërbimet sekrete dhe mitet e spiunazhit

Shërbimet sekrete dhe mitet e spiunazhit

Një sërë mitesh janë ngritur për shërbimet serkete. Jo gjithmonë ato janë të pavërteta. Por që të shkunden këto mite, kjo është ndër parimet e një qendrimi demokratik ndaj shërbimeve sekrete, mendon Christopher Nehring.

Nga Christopher Nehring*

Nganjëherë të krijohet përshtypja, se bota ka dalë nga binarët dhe se shërbimet sekrete janë në qendër të gjithçkaje. Në Angli sulm me helm, në Mal të Zi përpjekje për grusht shteti, në Gjermani sulme kibernetike në Ministrinë e Jashtme, tentativa për të influencuar zgjedhjet në SHBA dhe Francë, apo ish-agjentë të sigurimit komunist të shtetit në krye të politikës, ekonomisë dhe shoqërisë në Çeki, Rusi dhe Ballkan. Skandali i fundit në listë është “videoja Strache”, që e tregon zv-kancelarin austriak duke bërë pazare ilegale me një gjoja mbesë të një oligarku rus. Gjithnjë e më shumë zëra thonë se edhe pas kësaj qëndrojnë shërbimet sekrete, se kush tjetër do të kishte mundësinë për ta bërë.

Por shumë gjëra, që u atribuohen shërbimeve sekrete, dalin se janë mite, po t‘i shohësh me vëmendje. Për të shmangur keqkuptimin: Nuk është fjala as për t‘i minimizuar dhe as për t’i demonizuar shërbimet sekrete në punën e tyre. Pothuajse asnjë institucion shtetëror nuk është kaq i mbivlerësuar dhe i nënvlerësuar në të njëjtën kohë. Misteret e sekreteve gati okulte mbi shërbimet sekrete kanë krijuar një sërë mitesh lidhur me to. Në vendet ish- socialiste të Evropës lindore dhe juglindore, ku këto shërbime kanë shërbyer si represion shtetëror, paragjykimet janë të theksuara e të palëkundshme.

Mitet nuk janë gjithmonë të pavërteta. Përkundrazi, siç thoshte filozofi francez Roland Barthes, ato janë një formë komunikimi dhe kuptimi. Mitet plotësojnë vakuumin, që krijon mungesa e njohurive publike për këtë institucion shumë të veçantë shtetëror. Çmitizimi është një kontribut për kontrollin demokratik. Sepse një gjë është e qartë: Shërbimet sekrete janë pjesë e jetës së përditshme edhe në një Evropë demokratike dhe do të na shoqërojnë edhe në të ardhmen. Lëkundja e këtyre miteve është parakushti i nje qëndrimi të pavarur dhe demokratik ndaj shërbimeve sekrete – kudo në Evropë.

Miti Nr. 1 – Vetëm shtetet kanë shërbime sekrete

Po të ndjekësh diskutimet lidhur me videon “Strache” në Austri, të çudit vlerësimi i shpejtë, që bënë disa ekspertë se i gjithë “operacioni” mund të jetë kryer vetëm nga një shërbim sekret, sepse vetëm ata kanë mjetet përkatëse. Por ky është një mit! Kudo në Evropë, në Perëndimin e vjetër dhe në Lindjen e re, prej dekadash shtohen si kërpudhat shërbimet private të sigurisë. Të quajtura “Business Intelligence” apo thjesht firma sigurie, ato ofrojnë “mbledhje informacioni” të çdo lloji për klientët që paguajnë. Në mesin e tyre janë shumë firma, të cilat ose janë themeluar nga ish-punonjës të shërbimit të fshehtë, ose që preferojnë t‘i punësojnë me shumë dëshirë ato. Në të gjithë bllokun e Lindjes pas rënies së komunizmit firmat private të sigurisë mblodhën punonjës të shërbimit të fshehtë. Në Perëndim p.sh. Orbis Business Intelligence, firma e ish-punonjësit të MI6 Christopher Steele në Britaninë e Madhe, u bë e njohur, sepse prej këtu erdhën me sa duket informacionet për të ashtuquajturën “Dosja Trump”. Këtu kanë vepruar profesionistë të shërbimeve sekrete, që si firmë private ofrojnë avantazhin, që lidhjet me klientët politikë ose privatë të jenë të vështira për t‘u dëshmuar.

Miti Nr. 2 – Fake news janë të reja

Fake news si term për të pavërtetat e përhapura qëllimisht për të bërë një efekt të caktuar, u bë i modës në pesë vitet e fundit. Termi u përhap me shpejtësi në gjithë botën. Në fakt ai është termi për dezinformatat e përhapura me qëllim nga agjencitë shtetërore për të krijuar ndikim. Tani ai po shndërrohet në një koncept të luftës politike mes shteteve, partive dhe mendimeve. Ai është i lidhur ngushtë me internetin dhe digjitalizimin, të cilat u japin fake news një fytyrë të veçantë në formën e tweeteve, videove, postimeve dhe lajmeve të shkurtra. Por ama është mit, që fake news janë një fenomen i ri i epokës digjitale! Dezinformimi në shërbim të shtetit, i kryer nga shërbime sekrete, është diçka e vjetër. Sidomos shërbimet socialiste të Evropës Juglindore për dekada me radhë kanë patur sektorë, detyra e vetme e të cilëve ka qenë fabrikimi dhe shpërndarja e dezinformimit. Gjë që në fakt nuk u ndërpre kurrë, pas 1990-ës u fsheh vetëm poshtë sipërfaqes së sistemit politik, për t‘u rikthyer sot me gjithë fuqinë në rendin e ditës.

Miti Nr. 3 – BE (s)ka shërbim sekret

Bashkimi Europian është një strukturë e komplikuar politike. Politika e jashtme dhe e sigurisë është një sektor i vjetër i shteteve anëtare dhe jo i bashkësisë, (BE). Kështu thonë traktatet e Lisbonës. Në këtë mënyrë eleminohet çështja e një shërbimi sekret të BE. Dhe megjithatë ka një zyrë në Bruksel, e cila merr informacione nga shërbimet sekrete të vendeve anëtare, i pasuron ato me informacione publike, bën analizat e veta dhe i shpërndan në agjencitë e BE: INCTEN – EU Intelligence Analysis Centre, e vendosur pranë Shërbimit të Jashtëm Evropian. Dallimi nga një shërbim i fshehtë i “vërtetë” është: INCTEN nuk lejohet të sigurojë informacione të vetat me mjete të fshehta, zbulimi (burime, përgjime etj), por mbështetet në informacione të hapura dhe në informacionet nga shtetet anëtare.

Miti Nr. 4 – Shërbimet e fshehta janë të pakontrolluara

Në çdo skandal të shërbimeve sekrete shtypi gjëmon: shërbimet e fshehta nuk kontrollohen, janë të pakontrollueshme, ato janë gjithsesi një trup i huaj në demokraci! Sidomos në vendet, ku shoqëritë kanë përvoja historike me shërbimet e fshehta, që u përdorën nga udhëheqjet politike në diktatura si polici të fshehta, mosbesimi është shumë i përhapur (dhe i kuptueshëm). Kështu ka qenë në dy diktatura në Gjermani, por veçanërisht në shtetet postkomuniste të Evropës lindore dhe juglindore. Atje procesi i reformave nuk ka përfunduar ende as 30 vjet pas rënies së komunizmit.

Por edhe në Europën Perëndimore zgjati gati 50 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, derisa u zhvilluan format e kontrollit demokratik. Organet e kontrollit parlamentar nuk kanë qenë të vetëkuptueshme. Zhvillimi i vazhdueshëm i tyre, përshtatja me sfidat e reja është një pjesë e rëndësishme e demokracisë. Kontrolli i shërbimeve sekrete prej instancave të kontrollit, organeve parlamentare, gjykatave, zyrtarëve për mbrojtjen e të dhënave, mediave apo shkencës nuk është perfekt. Por ai ekziston!

Miti Nr. 5 –Shërbimet e fshehta të afta për komplotet botërore

Dhe në fund miti më i madh për shërbimet sekrete: Shërbimet e fshehta bëjnë komplotet e mëdha (botërore). Sidomos në shtetet postkomuniste, ku shërbimet sekrete ishin të mbyllura hermetikisht dhe përhapnin një klimë frike, e cila i tejkalonte mundësitë e tyre reale, është ende shumë i përhapur miti për shërbimet sekrete të gjithëpushtetshme. Shumë shpesh në qendër është Rusia. Në fakt edhe ky mit ka një sfond real, përfshirjet e vërteta të shërbimeve sekrete në rrëzime, atentate, përpjekje për grushte shteti dhe “aksione të tjera të fshehta”. Nga Afganistani deri në Panama shërbimet e fshehta – të ngarkuara nga qeveritë e tyre – janë përfshirë në punë të pandershme. Por ama zhvillimet botërore ato i kontrollojnë vetëm në idetë e çmendura të atyre, që merren me teori konspirative. Shërbimet sekrete janë agjenci zyrtare, kanë burime të kufizuara njerëzore dhe financiare, varen nga qeveritë e tyre dhe s‘mund t‘i mbajnë kurrë me të vërtetë sekret të gjitha të fshehtat e tyre. Sidomos në epokën digjitale, kur rrethi i atyre që kanë dijeni, rritet tej mase. Kur shërbimet sekrete me të vërtetë komplotojnë, atëherë janë instrumente dhe vegla. Dhe jo më të mirat!

*Christopher Nehring, lindur më 1984, është drejtor i Muzeut Gjerman në Spiunazhit në Berlin. Ai ka studiuar historinë e Europës Lindore dhe historinë e re në Heildeberg dhe në Shën Peterburg dhe ka mbrojtur doktoraturën më 2016 me temën e historisë së shërbimeve sekrete. Libri i tij i fundit “77 mitet më të mëdha të spiunazhit” është botuar nga shtëpia botuese Hyne në Mynih më 2019.

/DW