Sport “Sherr” kapitenësh, Vata i përgjigjet Mavrajt: Luftën nuk e kam fituar me...

“Sherr” kapitenësh, Vata i përgjigjet Mavrajt: Luftën nuk e kam fituar me pasaportë jugosllave

Rudi Vata i përgjigjet ashpër Mërgim Mavrajt pas reagimit të këtij të fundit në rrjetet sociale me një foto ku theksonte se njeh vetëm Fatmir Vatën. Ish-kapiteni i Kombëtares, në një bisedë për “Panorama Sport”, i kujton mbrojtësit kuqezi se nuk e njeh historinë dhe se qëndrimi i tij në skuadër është vetëm humbje kohe.

“Unë jam në rrugën e Zotit, në të drejtën time. I shërbej vendit tim, Shqipërisë, kaq kam në dorë. Në këtë jetë kemi të drejtë të shprehemi ashtu siç jemi të ndërtuar si njerëz. Personalisht mundohem që njerëzit të mos i ofendoj dhe mos t’i injoroj. Mund të ketë shumë njerëz që nuk i pëlqej, por të paktën nuk mundohem t’i ofendoj. E kuptoj momentin e vështirë që po kalon Mavraj, sepse ka dy vite që nuk luan. Unë faktikisht këtë lojtar e kam mbështetur kur ka qenë në ditët e tij më të mira, por tani ka ardhur një moment që prania e tij në ekipin kombëtar është humbje kohe. E them këtë, sepse Kombëtarja jonë është në krizë totale dhe ka nevojë për një rifreskim. Duke qenë se duhet një rikompozim total, një prej lojtarëve që i ka kilometrat e mbaruara është Mavraj. Unë këtë e shikoj me syrin tim, jo të dikujt tjetër, pra atë që kuptoj unë për futbollin”, ka thënë fillimisht Rudi Vata.

Ish-kapiteni i Kombëtares shprehet se nuk ka bërë asnjë deklaratë me tendencë ndaj Mavrajt, ndërsa rithekson se problemi i mbrojtësit është se nuk do që të tërhiqet nga Shqipëria, pasi ka dy vite që po kalon probleme.

“Nëse ai thotë se njeh Fatmir Vatën, është e drejta e tij. Pastaj, unë nuk dua të më njohë Mërgimi, sepse në fund të fundit kush është Mërgimi për mua që të më njohë…! Sinqerisht, nuk dua të më njohë fare, por dashje pa dashje ai mua më njeh, sepse jam shqiptar dhe kapiten i Kombëtares shumë kohë përpara tij, madje në periudhën më të vështirë. Kam dalë jashtë shtetit si një burrë i fortë dhe patriot, duke fituar të drejtën time në Europë përmes luftës së sakrificave. E kam fituar këtë luftë me pasaportë shqiptare dhe jo me pasaportë jugosllave. Jam arratisur drejt Francës me pasaportë shqiptare dhe kam përfaqësuar kombin tim si i miri i të mirëve. Nëse Mërgimi nuk e njeh historinë e shqiptarëve të suksesshëm, atëherë nuk është problemi im, por injoranca e tij”, shprehet Vata./Panorama Sport