Aktualitet Sherri për vendin e parkimit në Durrës, plagosen më armë nënë e...

Sherri për vendin e parkimit në Durrës, plagosen më armë nënë e bir

Janë dy personat të cilët mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të marte në lagjen numër 12 të Durrësit.

Burime zyrtare të policisë thonë se të plagosur kanë mbetur një djalë 23-vjeçar dhe nëna e tij, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është një 45-vjeçar, i cili u arrestua. Shkak për ngjarjen, policia thotë se u bë një konflikt i çastit për vendin e parkimit.

“Rreth orës 20:10, në lagjen nr.12, Durrës, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, shtetasi Z. J., rreth 45 vjeç, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin F. Ç., rreth 23 vjeç.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë dhe shtetësja V. Ç., rreth 45 vjeçe, (e ëma e shtetasit F. Ç.,), e cila ndodhej në momentin e konfliktit dhe është dërguar në spital nga shërbimet e Policisë dhe ndodhet bashkë me djalin nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Autori i dyshuar shtetasi Z. J., është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë Durrës për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Durrësit në një njoftim zyrtar për mediat.