Sport Shfryn Gattuso: Jam kundër grumbullimit, por isha i detyruar ta bëja!

Shfryn Gattuso: Jam kundër grumbullimit, por isha i detyruar ta bëja!

“Fjala dorëheqje te unë nuk ekziston dhe nuk do ta dëgjoni kurrë! Jo më kot kam luftuar që në moshë 17 vjeç për të fituar vendin e punës dhe për të treguar vlerat. Kam edhe dy vite kontratë dhe dëshira është që të dërgoj këtë skuadër në Champions League”.

Gennaro Gattuso i ka idetë e qarta. Trajneri i Milanit, në konferencën për shtyp përpara sfidës ndaj Sinisa Mihajlovic që drejton Bolognan, ka folur edhe në lidhje me grumbullimin: “Kurrë në jetë nuk e kam bërë, por ja që isha i detyruar. As mua nuk më pëlqen, por qëndrova me djemtë. Na u desh që të qëndronim bashkë, stërviteshim më fort, ashtu si edhe i pashë gjatë javës. Jam i bindur se do të luajmë një ndeshje të mirë. Kush nuk luan mirë, do të thotë që nuk e ka në zemër këtë fanellë”.

Më pas, Rino foli edhe për sjelljen e disa lojtarëve, mes daljeve dhe jetës së natës: “Të bëjnë çfarë të duan kur mbarojnë stërvitjen. Rëndësi ka qe të jenë profesionistë në punën e tyre. Edhe unë dilja. Bakayoko? Kapitull i mbyllur, kërkoi falje, ashtu si edhe Romagnoli, që po rritet shumë. Sjellja në Torino dhe kartoni i kuq do t’i bëjë mirë”.