Sport Shfrytëzonte punëtorët si skllevër, Liverpooli refuzon hotelin me pesë yje

Shfrytëzonte punëtorët si skllevër, Liverpooli refuzon hotelin me pesë yje

Liverpooli ka refuzuar akomodimin në një hotel luksoz në Doha, Katar, pasi zbuloi një seri çështjesh të të drejtave të njeriut që njollosin imazhin e ndërtesës me pesë yje. “The Reds” do të udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme në muajin dhjetor për të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve me statusin e kampionëve në fuqi të Europës.

Klubit të njohur anglez iu ofrua “Marsa Malaz Kempinski”, një hotel me pesë yje në ishullin artificial të Pearl-Katar, por e ka hedhur poshtë propozimin për shkak të së kaluarës së tij të errët. Në tetor 2018, një hetim nga “The Guardian” zbuloi se punëtorët emigrantë të punësuar nga hoteli “Marsa Malaz Kempinski” kishin paga qesharake, poshtë minimumit jetik, çka përbën shkelje të ligjeve të punës. Rojet e sigurisë po punonin me turne 12-orëshe dhe në temperatura përvëluese prej 45 gradë celsius për më pak se 8 paundë në ditë.

Mësohet se drejtuesit e Liverpooli kanë informuar FIFA-n dhe autoritetet e Katarit për vendimin e tyre, pasi kanë vendosur të akomodohen në një hotel tjetër, emri i të cilit nuk shkakton shqetësime të tilla. Kjo lëvizje e Liverpoolit për të gjetur akomodim alternativ, pritet të pasohet nga të tjera reagime në lidhje me abuzimin  ndaj punëtorëve emigrantë.

Sektori i turizmit dhe jo vetëm ka dalë jashtë kontrollit të autoriteteve në Katar, me shumë hotele që drejtohen nga korporatat globale, siç është edhe Kempinski.

Vendi aziatik është ende në mes të përgatitjeve për të pritur Kupën e Botës 2022. Gjatë viteve të fundit janë shtuar akuzat për shfrytëzimin deri në skllavëri të punëtorëve për ndërtimin e stadiumeve për këtë turne madhor.