Sport Shifrat e frikshme të Guardiolës: A do ta thyejë rekordin e Fergusonit?

Shifrat e frikshme të Guardiolës: A do ta thyejë rekordin e Fergusonit?

Penalltitë në finalen e së dielës, në “Carabao Cup”, të luajtur mes Chelsea dhe Manchester City, i dhanë Guardiolës titullin e tij të 25-të si trajner. Ky trofe iu bashkua “palmaresit” të pasur të trajnerit spanjoll, ku bëjnë pjesë edhe tre tituj të La Liga-s, dy Kupa Mbreti, tri Superkupa të Spanjës, dy Champions, dy Superkupa Europiane dhe dy Botërorë për Klubet në Barcelonë; tre tituj të Bundesligës, dy Kupa të Gjermanisë, një Superkupë Europiane dhe një Botëror Klubesh; me Bayern Munich; një titull kampioni në Premier League, një “Carabao Cup” dhe një “Community Shield” me Manchester City.

Pep i mori në dorë frenat e Barcelonës në vitin 2008 dhe mbërriti në “Olimpin” e futbollit. Karriera e tij si trajner ka qenë e pandalshme. Kjo shpjegohet në dhjetë sezonet, që Guardiola ka drejtuar një stol: Spanjë, Gjermani dhe Angli, kur mesztarja e tij ka qenë 2.5 trofe në edicion futbollistik.

Objektivi më i afërt i Guardiolës është kapërcimi i titujve që kanë fituar trajnerë të tjerë historikë, si Mircea Lucescu (32 trofe), Lobanowski (30), Hitzfeld (28), Stein (26) dhe Scolari (26). Po ashtu, qëllimi madhor afatgjatë, që tashmë shfaqet në horizont, janë 49 titujt e fituar nga Sir Alex Ferguson. Mosha e re e Guardiolës është një tipar, që luan në favorin e tij në këtë drejtim.

Me 48 vite mbi supe aktualisht, Pep ka ende një rrugë të gjatë për të përshkuar si trajner dhe për të arritur suksesin, që dikur e pati legjenda skoceze e Manchester United. Duhet kujtuar se Ferguson i fitoi titujt e parë si trajner në Skoci, në një kampionat modest krahasuar me ligat ku ka drejtuar Guardiola. Aberdeni i dha atij shumë tituj. Pastaj kaloi në stolin e Manchester United, në vitin 1986, ku filloi të shkruajë historinë e artë me 38 tituj në 26 sezone.

Skocezi doli në pension në vitin 2013, në moshën 71-vjeçare, pas 39 vitesh fitore dhe fitore. Mesatarja e titujve të fituar nga Ferguson mbeti në shifrat 1.25, gjysma e asaj, që regjistron aktualisht Guardiola. Në fakt, në qoftë se Pep vijon me ritmin e deritanishëm dhe mbetet trajner aktiv për 39 vite, sa Ferguson, ai mund ta përfundojë karrierën me 97 tituj! Për ta arritur këtë, trajneri katalanas duhet të vazhdojë trajnimin deri në moshën 77-vjeçare.

Afërsisht i nevojiten dhjetë vite, deri në sezonin 2028-2029, që Guardiola të përputhen me shifrat e Sir Alex Ferguson, në aspektin e trofeve të fituar. Deri atëherë, ish-lojtari i Barçës do të jetë 58 vjeç. Moshë krejtësisht e mundshme për ta parë atë në fushat e blerta.