Aktualitet Shitja e dyqanit solli vrasjen e gruas/ Autori: Tentoi të ikte, por...

Shitja e dyqanit solli vrasjen e gruas/ Autori: Tentoi të ikte, por e qëllova sërish

63-vjeçari Ruzhdi Tosuni ka treguar pse e masakroi me levë gruan Hajdije Tosuni në Durrës të mërkurën. Para policisë ai ka rrëfyer se kishin debate prej kohësh për të shitur dyqanin e metrazheve. Sipas tij, e ndjera nuk pranonte ta shiste.

“Shkak për konfliktin është bërë një zënkë që patëm për çështjen e dyqanit. Punët aty s’po ecnin mirë dhe i thashë ta shesim. Aty nisi gjithçka. Ajo nuk donte. Llaf pas llafi situata u agravua. Në gjaknxehtësi e sipër e qëllova me hekurin që mbyllim qepenin (shufër hekuri me ganxhë). E godita në kokë”, ka rrëfyer Tasuni.

Ai ka shtuar se në një moment bashkëshortja ka tentuar të shpëtojë, por ai e ka ndjekur dhe e ka qëlluar përsëri.

“Ajo tentoi të dilte nga dyqani, por e tërhoqa brenda dhe e qëllova sërish. Nuk isha në vete në ato momente. E humba toruan fare.”

Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të Durrësit të mërkurën. Viktima Hajdije Tosuni ishte nënë e tre fëmijëve. Autori i krimit u arrestua menjëherë në vendngjarje.