Ekonomi Shitjet globale të armëve rriten pas 5 vitesh rënie, kryesojnë prodhuesit amerikanë

Shitjet globale të armëve rriten pas 5 vitesh rënie, kryesojnë prodhuesit amerikanë

Shitjet ndërkombëtare të armëve dhe shërbimeve ushtarake janë rritur përsëri në 2016-ën pas 5 vitesh radhazi të rënies, tregojnë të dhënat e reja të Institutit Ndërkombëtar të Hulumtimit për Paqen në Stockholm (SIPRI).

100 kompanitë më të mëdha në botë të armëve publikuan shitje totale prej 374.8 miliardë dollarë në vitin 2016,   në rritje me 1.9% nga viti i kaluar.  Sipas institutit në Stockholm, ka patur një rritje të dukshme të shitjeve te prodhuesit amerikan.

“Në një vlerë totale prej 217.2  miliardë dollarë,   shitjet e armëve të kompanive amerikane të renditura në listën e 100 firmave më të mëdha, u rritën me 4% në 2016-ën”, deklaron instituti duke e lidhur këtë rritje me operacionet ushtarake të SHBA jashtë vendit si dhe blerjeve të sistemeve të mëdha të armëve nga vende të tjera.

Sipas institutit në Suedi, prodhuesi më i madh në botë i armëve,  Lockheed Martin, u rrit me 10.7% në 2016-ën.

“Me blerjen e prodhuesit të helikopterëve,  Sikorski në fund të 2015-ës dhe rritjes së  madhe të dërgesave të avionit luftarak F-35, Lockheed Martin ka treguar rritje gjigante të shitjeve në 2016-ën”,  deklaron instituti.

Përveç prodhuesve tradicional, ka patur një trend rritjeje edhe në firmat në Brazil, Indi, Turqi dhe Korenë e Jugut. Vendi fqinj me Korenë e Veriut, ka patur një rritje prej 20.6% të shitjeve të armëve, me vlerën totale në 8.4 mld dollarë.  Ndërkohë, prodhuesit në Australi, Izrael, Japoni, Poloni dhe Ukrainë kanë patur një rënie të kombinuar prej 1.2%, me Japoninë që pati rënien më të madhe.

Ndër kompanitë japoneze me rënien më të madhe ishin Mitsubishi Heavy Industries, Kawasaki Heavy Industries dhe Mitsubishi Electric Corporation. Shitjet e armëve përcaktohen nga Instituti suedez si shitje të produkteve dhe shërbimeve ushtarake drejt konsumatorëve, përfshirë shitjet brenda vendit dhe shitjet për eksport.

Emrat kryesor në listën e 2016-ës janë Locheed Martin, Boeing, Raytheon, BAE Systems dhe Northrop Grumman.