Konsumi në mbarë botën i verës ra në vitin 2024 në nivelin më të ulët në më shumë se 60 vjet, thotë Organizata Ndërkombëtare e Hardhisë dhe Verës (OIV), duke ngritur shqetësime rreth rreziqeve të reja nga tarifat e SHBA.
OIV tha të martën se shitjet në 2024 ranë me 3.3% nga viti i kaluar në 214.2 milion hektolitra, duke shtuar se kjo ishte shifra më e ulët e shitjeve që nga viti 1961.
Prodhimi është gjithashtu në nivelin më të ulët në më shumë se 60 vjet, duke rënë me 4.8% në 2024.
Shefi i statistikave të OIV, Giorgio Delgrosso, tha se industria e verës është goditur nga një stuhi e madhe pasi problemet shëndetësore po ulin konsumin në shumë vende dhe faktorët ekonomikë shtuan problemet.
“Përtej ndërprerjeve ekonomike dhe gjeopolitike afatshkurtra, është e rëndësishme të merren parasysh faktorët strukturorë dhe afatgjatë që kontribuojnë gjithashtu në rënien e vërejtur të konsumit të verës”, thuhet në raportin vjetor të OIV.
OIV tha se konsumatori po paguan rreth 30% më shumë për një shishe tani sesa në 2019-2020 dhe konsumi i përgjithshëm kishte rënë me 12% që atëherë.
Delgrosso thotë se tarifat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump mund të bëhen “një tjetër bombë” për industrinë e verës.
Shitjet në Kinë mbeten nën nivelet e para Covid-it. Në Evropë, e cila përbën gati gjysmën e shitjeve në mbarë botën, konsumi ra me 2.8% vitin e kaluar. Në Francë, një nga prodhuesit kryesorë globalë, vitin e kaluar u konsumua 3.6% më pak verë. Spanja dhe Portugalia ishin ndër tregjet e rralla ku konsumi u rrit.
OIV tha se prodhimi ishte goditur nga ekstremet mjedisore si reshjet mbi mesataren në disa rajone dhe thatësirat në të tjera.
Italia ishte prodhuesi kryesor në botë me 44 milionë hektolitra, ndërsa prodhimi i Francës ra 23% në 36.1 milionë hektolitra, niveli më i ulët që nga viti 1957.
Italia është gjithashtu eksportuesi më i madh i verës dhe tregtia e saj u rrit për shkak të popullaritetit të verërave të gazuara si prosecco.
Spanja prodhoi 31 milion hektolitra, ndërsa prodhimi i verës në SHBA ra 17.2% në 21.1 milion hektolitra, kryesisht për shkak të nxehtësisë ekstreme.
OIV nuk mund të parashikonte nëse konsumi do të rritet përsëri dhe drejtuesit e industrisë, si zinxhiri francez i dyqaneve të verërave Nicolas, thonë se ka një rënie “brezi” të pijes.
“Njerëzit nuk pinë më në mënyrë festive dhe të rinjtë konsumojnë më pak se prindërit e tyre”, tha kompania në një deklaratë për Agence France-Presse.
Megjithatë, “njerëzit pinë më pak, por më mirë”, tha Nicolas, dhe kështu janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë.