Opinione Shkarja mendore e Ermonelës për gjenocidin serb

Shkarja mendore e Ermonelës për gjenocidin serb

Nga Artan Fuga

Unë nuk dua ta besoj që deklarata në televizion e zonjës nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila thotë se aprovimi i një deklarate që dënon gjenocidin e Milosheviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë bie ndesh me politikat e sotme për Open Ballkan, të jenë qëndrime të një shqiptareje, të një force politike shqiptare, të qeverisë shqiptare, të grupit parlamentar të shumicës, të Kuvendit të Shqipërisë!

Kam dëshirë ta shoh si të ketë qenë një shkarje mendore e çastit.

Një lapsus!

Të jetë një moskuptim i asaj që flet!

Të jetë një gafë logjike nga dashuria me vetveten dhe që të bën të humbasësh vlerësimin kritik të asaj që thua!

Edhe mua më qëllon njëherë në tridhjetë orë leksioni!

Zonja ka folur me nxitim, me siguri e paautorizuar, ka hyrë pa busull në çështje të qëndrimit ndaj historisë, ka futur hundët në marrëdhëniet me jashtë, ku me siguri nuk ka pikën e kompetencës politike për ta bërë!

Por, nëse zonja në fjalë nuk del t’u kërkojë falje shqiptarëve, aq të fyer sa jemi, nëse Kuvendi nuk bën deklaratë distancimi, nëse qeveria nuk e dënon këtë deklaratë, atëherë jemi në pragun e asaj që nuk mendohej se do të arrinte një ditë!

Kërkim ndjese publike shoqëruar me qëndrim në gjunjë tridhjetë minuta poshtë bustit të Adem Jasharit, aty në të dalë të rrugës së ambasadave, ku kryqëzohet me rrugën e Durrësit! Jo e tipit, e thashë kështu, por nuk e thashë ashtu!

Unë personalisht distancohem! Fort, prerë, pa asnjë ekuivok!

Është njësoj si Franca të mos dënojë më Hitlerin dhe nazizmin për hir të marrëdhënieve të sotme me Gjermaninë!!!

Nënkupton se për zonjën marrëdhëniet me Serbinë nuk qenkan për një Open Ballkan postmillosheviçian, por me vetë regjimin e Millosheviçit që mërzitet nëse dënojmë atë për të cilën edhe NATO ndërhyri!

Kjo do të thotë që për interesat e sotme pragmatiste të një politike të jashtme në ajër ende, të mohohet solidariteti ynë kombëtar!

Kosova paska njëmijë herë të drejtë që është skeptike ndaj politikës të Open Ballkan sepse sheh atje nënkuptime të tjera!

Kjo deklaratë e zonjës nënkryetare të Kuvendit e shpartallon edhe vetë bashkëpunimi e popujve në një gadishull të hapur politikisht dhe ekonomikisht sepse i kundërvë atij qëndrimin e disa milionë shqiptarëve që nuk e harrojnë historinë, pa mbetur robër të saj!

Pse shqiptarët dhe vuajtjet e tyre do të sakrifikohen për Open Ballkan? Përse Open Ballkan qenka i papajtueshëm me historinë e dhimbshme shqiptare?

E sotmja fshika të kaluarën? Mos duhet të themi se meqë na duhet Open Ballkan nuk ka pasur fare viktima dhe represion në Kosovë? Se këtu të çon logjika!

Opinioni publik kërkon t’i kërkohet falje! Ndryshe loja ka mbaruar!