Aktualitet Shkarkimet e vetingut, Llagami: Gjykatat e Apelit vazhdojnë të jenë thembra e...

Shkarkimet e vetingut, Llagami: Gjykatat e Apelit vazhdojnë të jenë thembra e Akilit

Qeveritë e sistemit të drejtësisë zhvilluan mbledhjen e tyre të parë të përbashkët. Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë diskutuan mbi problematikat e hasura gjatë tre viteve të punës, ku vështirësia më e madhe u cilësua vakancat e krijuara nga vetingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Procesi i vetingut ka sjellë humbje të konsiderueshme në burime njerëzore, humbje të cilat po bëhen edhe më të thella dhe po gërryejnë jo vetëm kapacitetet tona, por edhe aftësitë për të rezistuar, qëndruar dhe motivuar kolegët. Sot kemi në sistem vetëm 2/3-at e gjyqtarëve. Gjykatat e Apelit vazhdojnë të jenë thembra e Akilit, pasi kapitalin human të ngritur për 30 vite nuk e ngremë dot brenda natës. Por jam shumë besimplotë që, nëse ne të gjithë bashkë, kuptojmë nevojat që kemi dhe mundohemi t’i adresojmë këto nevoja, pa diskutim që sistemi do t’ia dalë ashtu siç duhet”, tha kreu i KLGJ, Naureda Llagami.

Për kreun e KLP, Gent Ibrahimi, këto mbledhje ndihmojnë në rakordimin e punës së dy institucioneve, “në mënyrë që të garantojmë  që meritokracia dhe performanca të mbizotërojnë në punën tonë”.

“Ne jemi solidarisht përgjegjës për menaxhimin e sistemit të drejtësisë. Është i nevojshëm një rakordim mes nesh për menaxhimin sa me optimal të sistemit gjyqësor. Një mekanizëm do të ishte rishikimin e legjislacionit, por tashmë është konsumuar me ndryshimet ligjore që janë bërë së fundmi. Mundësia e dytë është ngritja në detyrë të këshilltarëve ligjorë dhe ndihmësve, por për të duhen ndryshime ligjore të mëtejshme”.