Bota Shkarkimi i Bolton, administrata “Trump” nuk u surprizua

Shkarkimi i Bolton, administrata “Trump” nuk u surprizua

Shkarkimi i këshilltarit për Sigurinë Kombëtare nuk ishte një surprizë në SHBA. Të paktën për administratën e Presidentit amerikan, Donald Trump. “Nuk jam kurrë i surprizuar dhe këtë nuk e them vetëm për këtë rast”, tha Mike Pompeo, Sekretar i Shtetit.

John Bolton duhej të largohej, sepse, siç raporton CNN, ai dëshironte të pengonte spektaklin ndërkombëtar të kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Kohë më parë, ish-këshilltari tërhoqi vëmendjen e presidentit me deklaratat e tij të zjarrta në “Fox News”, duke u bërë i dobishëm në shpërndarjen e dëshirës së Trump për të shkundur rendin global. Bolton u bë i njohur për linjën e tij të ashpër në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, që në administratën Bush, duke fituar dhe nofkën “Fajkoi”.

Ai u punësua nga Trump për dy arsye, të ashpërsonte qëndrimet e Amerikës ndaj Iranit dhe të shtronte terrenin për një marrëveshje bërthamore me Korenë e Veriut. Deri në një pikë, ai ia doli. Por si çdokush tjetër në ekipin jofunksional të politikës së jashtme të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Bolton e fitoi largimin duke penguar politikat e shefit të tij. Ai doli kundër dëshirës së Trump për marrëdhënie më të mira me Rusinë, ishte i gatshëm për ndërhyrje ushtarake në Venezuelë dhe Iran, dënoi testimet e fundit raketore të Koresë së Veriut në një kohë kur Trump i anashkaloi ato dhe së fundi u përplas me presidentin për takimin e paqes të organizuar në SHBA mes qeverisë Afgane dhe talebanëve. Një tjetër linjë e ashpër e ndjekur nga “Fajkoi”, që binte ndesh me politikat tradicionale amerikane, ishte mbështetja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.