Politika Shkarkimi i Muçit, reagon Presidenca: Zero surprizë nga vettingu i Partisë

Shkarkimi i Muçit, reagon Presidenca: Zero surprizë nga vettingu i Partisë

Menjëherë pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që shkarkoi nga detyra prokurorin Besnik Muçi, ka ardhur dhe reagimi i Presidencës.

Zëdhënësi i kreut të shtetit, në një reagim në rrjetet sociale, e cilëson këtë si rikthim të skenarit për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese.

“ZERO SURPRIZË nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet skenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njëjtët aktorë që e bllokuan për tre vjet. TURP! TURP! TURP!”, shkruan Tedi Blushi në reagimin e tij.

Besnik Muçi ishte dekretuar nga Presidenti Ilir Meta si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai kishte kaluar me sukses fazën e parë të vettingut, por vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u ankimua nga Komisioneri Publik.

Ky i fundit kërkoi shkarkimin e Muçit, me argumentimin se prokurori nuk justifikonte pasurinë, kërkesë që u pranua sot nga KPA.