Sport Shkarkimi i Steve Bruce, Steven Gerrard pritet të marrë drejtimin e Newcastle

Shkarkimi i Steve Bruce, Steven Gerrard pritet të marrë drejtimin e Newcastle

Vetëm pak ditë pasi morën pronësinë e klubit dhe pasi i lanë Steve Bruce kënaqësinë e plotësimit të 1000 ndeshjeve si trajner i Newcastle, arabët e PIF kanë vendosur ta shkarkojnë teknikun 60-vjeçar anglez.

Në fakt bëhet fjalë për një vendim të paralajmëruar më herët në fakt, pasi edhe vetë tekniku anglez ishte njoftuar për diçka të tillë, ndërsa tani menjëherë kanë dalë në skenë emrat e favoritëve për t’u ulur në pankinën e “Magpies”.

Në Angli janë të bindur që pasuesi i Steve Bruce do të jetë Steven Gerrard, i cili aktualisht drejton skocezët e Rangers, por ishte të dielën në “St. James’s Park” për të ndjekur ndeshjen mes Newcastle dhe Tottenham.

Ndonëse vetë ish kapiteni i Liverpoolit u mundua të driblojë me diplomaci, duke thënë se ishte aty për respekt të Bruce, gjasat janë që në 48 orët e ardhshme të zyrtarizohet në pankinën e Neëcastle.

Së fundi ka dalë në skenë edhe emri i zviceranit Lucien Favre, i cili më herët ka qenë trajner i Borussias së Dortmundit, Nices, etj., dhe ka bërë shumë mirë, ndërsa aktualisht është i lirë që prej vjeshtës së vitit të kaluar.

Gerrard apo Favre, pak rëndësi ka. Drejtuesit e Newcastle po nxitojnë që të emërojnë trajnerin e ri brenda 48 orëve të ardhshme, me qëllim që skuadra të udhëtojë me timonierin e ri në transfertën londineze ndaj Crystal Palace.