Aktualitet Shkarkohet nga detyra kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit

Shkarkohet nga detyra kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të shkarkojë nga detyra kryetarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita.

Selita e kishte kaluar vetingun në shkallën e parë, por KPA vendosi ta ndryshojë këtë vendim duke urdhëruar shkarkimin e gjykatësit.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, u përball me dy denoncime gjatë procesit të vetingut. Ai u shigjetua nga një grup gjyqtarësh të Apelit për dy nga tre kriteret rivlerësuese, profesionalizmi dhe pastërtia e figurës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi pretendimin e ngritur nga ky grup gjyqtarësh se në vitin 2016 një trupë gjykuese me Selitën në përbërje, ka marrë një vendim në tejkalim të ligjit.

Sipas denoncuesve, verdikti në fjalë ka detyruar Këshillin e Lartë të Prokurorisë të emërojë si prokuror Bledar Valikajn, një vit pasi dekretimi i tij ishte rrëzuar me heshtje nga Presidenti i Republikës.

Në denoncimin tjetër pretendohej se gjyqtari Selita kishte kontakte me një shtetas të përfshirë në veprimtari kriminale, pretendim që, sipas KPK-së rezultonte i paprovuar.