Aktualitet Shkatërrohet grupi që vidhte kasaforta, tre në pranga

Shkatërrohet grupi që vidhte kasaforta, tre në pranga

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një operacion gjatë së cilit u vunë në pranga tre persona, pjesë e një grupi që vidhte kasafortat në biznese.

Në kuadër të operacionit “Poliklinika” u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. M., 33 vjeç, F. Sh. alias F. L., 37 vjeç dhe E. Ç. alias E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë (F. L. dhe E. Ç., me precedent penal në fushën e vjedhjes dhe vjedhjes me armë).

Tre personat u arrestuan në orët e para të mëngjesit ndërsa vodhën një kasafortë me rreth 13 milionë lekë në ambientet e Poliklinikës “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Pas verifikimeve dhe hetimeve rezultoi se 3 të arrestuarit janë autorët e grabitjes së kasafortave dhe në biznese të tjera, mes tyre dhe atë të klinikës mjekësore në Rrugën e Dibrës, ngjarje e ndodhur më 20 janar të vitit 2020.

Vijon puna, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në qarqe, për dokumentimin me prova ligjore të rasteve të dyshuara se janë kryer nga ky grup kriminal.