Kryesore Shkëmbim territoresh, Thaçi: Ideja ka qenë e imja, kush mendon për Vuçiç...

Shkëmbim territoresh, Thaçi: Ideja ka qenë e imja, kush mendon për Vuçiç është naiv

Ndryshimi i kufijve të Kosovës është nga temat më të nxehta politike të muajve të fundit, në Kosovë, Serbi, por edhe Shqipëri.

Por kush e ideoi marrëveshjen që mund të çonte në shkëmbim territoresh? Kësaj pyetje nëse ideja ka qenë e Vuçiç, Mogherinit, apo e Thaçit, Presidenti i Kosovës, ju përgjigj nga studioja e emisionit “Opinion” duke thënë se ideja ishte e tij.

“Është qesharake të mendohet se ideja se përfshirja e Medvegjës, Preshevës dhe e Bujanocvit përmes një procesi të korrigjimi të kufijve të jetë e Vuçiçit, apo e ndokujt tjetër. Është fat që të gjitha regjistrime e takimeve të mia si President i Kosovës në zyrën time me liderët e Medvegjes, Preshevës, Bujanovc janë të regjistruara. Edhe ata janë në favor të një korrigjimi. Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike duke përfshirë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin në territorin e Kosovës është e imja. Jam angazhuar në Samitin e Berlinit dhe sot, nesër, dhe jetësisht jam i vendosur. Po të flitet që ideator është Vuçiç është naivitet i madh.

Vuçiç nuk ka prezantuar plan për Kosovën, në idetë e tyre është ndarja e Kosovës. E theksoj se kjo kërkon përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Dallimi në mes shkëmbimit të territoreve që ka qenë ide e liderëve të caktuara shqiptarë dhe idesë sime për korrigjim ka dallim shumë të madh. Kurrë nuk kam pranuar shkëmbimin e territoreve”, deklaroi Presidenti, Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi siguroi se nuk do të lejojë kurrë që të preket territori i Kosovës.

“Luftë mund të ketë, por cënim të territorit të Kosovës jo”, u shpreh ai.

“Askush zyrtarisht nuk e ka hapur diçka të tillë por nuk do të lejoj që të jem në tavolinën ku të diskutohet për ndarje të territorit të Kosovës. Unë jam Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Luftë mund të ketë, por cënim të territorit të Kosovës jo. Ndarje jo, as sovranitet të dyfishtë jo dhe as ndonjë pretendim për krijim të Republikës Spërska“, u shpreh Presidenti kosovar Hashim Thaçi.