Aktualitet Shkojnë për ta grabitur, nipi 16-vjeçar dhe shokët e tij vrasin gruan

Shkojnë për ta grabitur, nipi 16-vjeçar dhe shokët e tij vrasin gruan

Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 Janar. Trupi i 50-vjeçares u gjet në rezervuar pasditen e së martës

Një ngjarje e rëndë u zbardh nga autoritetet policore këtë të martë në Mallakastër. Drita Saliaj, 50 vjeçe, mbeti e vrarë gjatë një tentative grabitjeje të ndodhur në shtëpinë e saj në fshatin Gjerbës, më datë 5 Janar.

Autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë janë nipi 16-vjeçar i gruas, (djali i vëllait të burrit), dhe dy shokët e tij të moshës 16 dhe 26 vjeç.

Burime zyrtare të policisë thonë se tre të rinjtë shkuan për të vjedhur në shtëpinë e 50-vjeçares, por kjo e fundit bëri rezistencë. Në këtë pikë, autorët e morën gruan dhe e hodhën në rezervuarin e fshatit Gjerbës.

Por krimi i rëndë do të zbulohej vetëm sot, kur familjarët e Drita Saliajt shkuan në Komisariatin e Policisë Mallakastër dhe e denoncuan atë të zhdukur.

Në këtë pikë, autoritetet u vunë në kërkim të saj dhe gjatë orëve të pasdites gjetën trupin e pajetë të 50-vjeçares në rezervuar.

Policia arriti gjithashtu të arrestonte tre autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ata janë Luis Saliaj, 16 vjeç, banues në Gjerbës, Sindi Shehaj, 16 vjeç, banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç, banues në Gjerbës.

Të njëjtat burime thonë gjithashtu se autorët e kanë pranuar autorësinë e krimit, në prani të psikologut dhe avokatit.