Aktualitet Shoku i autorit të sulmit në xhami: Rudolfi ishte i sëmurë, kishte...

Shoku i autorit të sulmit në xhami: Rudolfi ishte i sëmurë, kishte paranoja

Rudolf Nikollaj sulmoi me thikë 5 persona këtë hënë në xhaminë në rrugën e Kavajës në Tiranë, duke i lënë ata të plagosur.

Në një lidhje me Klan News, miku i tij i ngushtë Xhevdet Spahiu thotë se ngjarja ka ardhur për shkak se 34-vjeçari është i sëmurë. Ai rrëfen se Rudolfi nisi të kishte probleme pas karantinës. Miku i tij tregon më tej se në takimet që kishte pasur me të, Rudolfi kishte paranoja. Ai i thoshte se ishte frikë se mos ekzekutonin.

Prej sa kohësh jeni miq me Rudolfin dhe në çfarë rrethanash jeni njohur?

Unë jam nga e njëjta zonë me Rudolfin, jam mik prej 20 vitesh, kemi qenë shokë shkolle, lagje, kemi banuar bashkë për dy vite në kohën e studimit të shkollës së lartë.

Pra mund të thuhet që jeni miq fëmijërie apo jo.

Po, po, njihemi prej shumë vitesh.

Ke dijeni për ngjarjen që ndodhi sot, ose motivin që çoi Rudolfin të bënte këtë akt?

Motivi është që ai ka qenë në depresion, ka qenë me ilaçe, ka qenë me kura, ka shumë kohë që ai nuk po merr kurat, unë jam në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e vet, sepse ai ka bërë një ngjarje të ngjashme pak më parë me një mikun tonë të përbashkët, e ka plagosur edhe atë pa arsye. Shkaku është që ai është i sëmurë, nuk është se ka arsye tjetër.

Është i sëmurë prej sa kohësh? Ka qenë i sëmurë gjithmonë, apo është një sëmundje që e ka kapur kohët e fundit.

Jo, ai ka qenë një tip shumë normal, shumë pozitiv, shumë aktiv, me biznes, me punë, ka jetuar dhe jashtë, por në kohën e karantinës nuk e di çfarë i ka ndodhur, paranoja, frika… Unë e kam takuar rastësisht edhe nëpër Tiranë, nuk ulej në kafe, kam frikë, thoshte, do më kapin, do më ekzekutojnë, nuk di ta shpjegoj dmth. E rëndësishme është që ai ka pasur nevojë për mjekim, mjekimin se ka marrë dhe ka arritur aty ku ka arritur. Ka bërë dhe gjëra më të vogla se kjo që ka bërë sot. Përfitoj nga rasti t’i uroj shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve. Por se mungesa e le të themi, e organeve shtetërore, që nuk e kanë mbajtur. Sepse ai është arrestuar, është liruar, ka shkuar në spital, prapë e kanë lënë të ikë. Ose problemi ndoshta edhe i familjes që nuk e kanë mbajtur brenda, nuk di çfarë të them. Ideja është që kjo ka ndodhur se është i sëmurë.