Ekonomi Shoqata Ndërkombëtare e Valutave: Koronavirusi nuk merret nga paratë

Shoqata Ndërkombëtare e Valutave: Koronavirusi nuk merret nga paratë

Teksa autoritetet kineze po shkatërrojnë paratë cash që potencialisht kanë rënë në kontakt me koronavirusin, vendet perëndimore mbesin mbrapa jo vetëm në përgjigjen e tyre ndaj pandemisë, por edhe në miratimin e pagesave dixhitale.

Madje, autoritetet europiane nuk e konsiderojnë aspak infektimin me Covid-19 përmes parasë.

Shoqata Ndërkombëtare e Valutave siguron publikun se Koronavirusi nuk ngjitet nga paratë cash, përndryshe thotë ajo, do të kishte shumë më shumë të infektuar në të gjithë botën.

Shoqata Ndërkombëtare e Valutave ICA shprehet se nuk ka dëshmi se kartëmonedhat janë më të ndotura se çdo sipërfaqe tjetër, që do të thotë nuk ka më shumë rrezik për të marrë këtë virus nga kontakti me paratë cash se sa kur prek sipërfaqe të tjera të cilat janë vërtetuar se e mbajnë gjallë virusi për disa ditë.

Edhe, disa banka qendrore, nuk gjejnë prova që kartëmonedhat mund të transmetojnë virusin.

Sipas tyre probabiliteti për të transmetuar koronavirusin nëpërmjet parave cash është e ulët.

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Bundesbank, Johannes Beermann është shprehur se rreziku i marrjes së koronavirusit përmes parave cash është mëse minimal.

Në një konferencë për mediet në Bundesbank, Beermann vuri në dukje se “mundësia për t’u infektuar nga përdorimi i parave cash është më i vogël sesa nga shumë objekte të tjera që përdoren në jetën e përditshme”.