Aktualitet Shoqëroi në komisariat Berishën në vitin 2000: Kush është kryepolici i ri...

Shoqëroi në komisariat Berishën në vitin 2000: Kush është kryepolici i ri i Shkodrës

Pak orë pas vrasjes së dyfishtë në kryeqendrën e veriut, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka komunikuar mbrëmjen e së shtunës shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati.

Lleshaj tha se Bushati do të zëvendësohet në detyrën e tij nga Niko Brahimi. Niko Brahimi është një nga drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit. Ai ngarkohet sot me sigurinë e qytetit të Shkodrës dhe kam besimin e plotë se do të japë impulse të reja dhe do të sigurojë atë që Shkodra meriton, qetësi, rend, dinjitet, për arsye se ky qytet është në atë nivel që meriton gjithçka dhe ne gjithçka do të bëjmë për sigurinë e tij”, tha Lleshaj.

Por kush është Niko Brahimaj?

Niko Brahimaj, ka mbajtur poste të larta drejtuese në Policinë e Shtetit. Së fundmi ishte drejtor për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku nuk ka hezituar të shprehë hapur edhe në një takim të fundit kritikat për Policinë e Vlorës sa i përket luftës anti-kanabis. Ka mbajtur detyrën e drejtorit të Forcave Operacionale, që ka në varësi edhe forcat elitë të Policisë së Shtetit, RENEA-n.

Ai është bërë i famshëm edhe për ngjarjen e 20 Nëntorit të vitit 2000, ku një skuadër e drejtuar nga prej tij shoqëroi në polici Sali Berishën në atë kohë kryetar i opozitës së atëhershme, pas djegies së komisariatit të Tropojës. Niko Brahimaj mbante postin e nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, në kohën kur në krye të saj qëndronte Bilbil Mema. Në vitin 2005, pak muaj pas ndryshimit të pushtetit, Niko Brahimaj u transferua në Policinë e Tropojës. Në vitin 2013 Niko Brahimaj drejtoi Policinë e Lezhës.

Të shumta detyrat e tij, por Shkodra duket se do të mbetet sfida më e madhe. Një qytet që duket se është kthyer në strehën e keqbërësve dhe që ndër vite ka “ngrënë” kokat e shumë drejtuesve të policisë. Atentati i dyfishtë ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali çoi në shkarkimin e kryepolicit të Shkodrës, Vehbi Bushati. Më herët në këtë qark ka qenë edhe Gjovalin Loka, drejtues që u duk se bëri goditje të forta në fushën e grupeve që merreshin me trafik droge, por nuk kaloi shumë dhe ai lëvizi në një detyrë të rëndësishme, siç është posti aktual i zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, krahu i djathtë i kryepolicit Ardi Veliu.

Policia e Shkodrës është drejtuar edhe nga Alban Çela, dhe drejtues të tjerë me emër, të cilët nuk kanë qëndruar më shumë se dy vite në këtë detyrë.