Sport Shorti i eliminatoreve/ Tremben Kukësi e Laçi, kundërshtar modest për Teutën

Shorti i eliminatoreve/ Tremben Kukësi e Laçi, kundërshtar modest për Teutën

Pas Champions Leagues, është hedhur shorti edhe për eliminatoret e Europa Leagues, ku Shqipëria përfaqësohet me 3 skuadra, Kukësin, Teutën dhe Laçin, me këta të fundit që mund të zëvendësohen nga Skënderbeu, nëse korçarëve u hiqet pezullimi 10-vjeçar.

Shorti ka qenë i pamëshirshëm për verilindorët e Ernest Gjokës, që do të përballen me hungarezët e Debrecenit, që ishte edhe skuadra më e fortë që mund t’u ofronin goglat, duke komplikuar rrugëtimin e Kukësit në Europë.

Shumë më bujar është treguar shorti me durrsakët e Teutës, që do të përballen me letonezët e Ventspilsit, skuadër kjo që vitin e kaluar u ndesh dhe eliminoi Luftëtarin e Gjirokastrës. Ventspils është një skuadër modeste, të cilën durrsakët mund ta kalojnë pa probleme, nëse do të impenjohen në mënyrën e duhur.

Skuadra tjetër shqiptare që do të luajë në këto eliminatore, Laçi do të përballet me izraelitët e Hapoel Ber’ Sheva. Edhe për bardhezinjtë short aspak bujar, pasi izraelitët janë një skuadër me mjaft eksperiencë në arenën ndërkombëtare, që natyrisht është favorite për të vijuar më tej.

Kosova përfaqësohet në paraeliminatoret e Europa Leagues me Prishtinën, që do të përballet me ekipin nga Gjibraltari St Joseph’s. Nëse kryeqytetasit do t’ia dalin të kalojnë në turin eliminator, atëherë goglat u kanë rezervuar një kundërshtar mjaft të fortë si skocezët e Rangers.