Sport Shorti i Europa League, të mëdhatë shmangin grupet e ferrit

Shorti i Europa League, të mëdhatë shmangin grupet e ferrit

Është hedhur sot në Monako shorti për fazën e grupeve të Europa League. Goglat e tërhequra nga Ashli Kol dhe Paulo Ferreira grupet e krijuara nuk kanë vënë përballë asnjë prej ekipeve pretendente. Mançester Junajtid, Sevilja, Roma, Arsenali, Volsburgu apo të tjera ekipe pretendente për ta fituar trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin europian kanë shmangur përplasjet me njëra tjetrën që në fazën e grupeve.

Në grupin A, Sevija si koka e grupit do të ketë duel të fortë me Apoelin dhe Karabakun, por duhet të ruhet nga ndonjë surprizë prej debutuesve të Dudelange.

Në grupin B, Dinamo Kiev ka qenë me fat, pasi si Kopenhagen, por edhe Malmo me Luganon nuk besohet se do të bëjnë shumë rezistencë për kreun e grupit.

Në grupin C janë Bazeli, Krasnodari, Getafe dhe Trabzonspor. Ky grup mund të konsiderohet si më i ekuilibruari.

Në grupin D, Sporting Lisbona dhe Psv Eindhoven shikohen si dy ekipet kryesore, ndërsa nga Rosenborg dhe Lask priten surpriza.

Në grupin E, Lacio është pretendentja për kreun, ndërsa Sëlltik dhe Rennes do luftojnë për vendin e dytë, ndërsa Kluzh mund të kënaqet vetëm me pjesëmarrjen.

Në grupin F, Arsenal dhe Eintraht Frankfurt do duelojnë për vendin e parë, ndërsa befasia pritet nga Standard Liezh dhe Vitoria Guimarash.

Në grupin G janë Porto, Young Boys, Feinoord, Rangers Glasgou. Ky mund të quhet pa frikë si grupi më i fortë, pasi është shumë e vështirë të paracaktosh ekipin që do renditet e para.

Në grupin H janë shortuar Cska Moska, Ludogorets, Espanjol, Ferencvarosh.

Në grupin I janë zgjedhur Volfsburg si kokë grupi dhe më pas, Gent, Saint-Etienne dhe Oleksandriya.

Në grupin J, Roma ekipi më i fortë do të ketë rivalë, Borusian, Bashaksehir, Volfsberger.

Në grupin K janë zgjedhur ekipet Beshiktash, Sporting Braga, Volverhampton, Slovan Bratislava.

Ndërsa Mançester Junajtid, Astana, Partizani i Beogradit dhe Az Alkmaar janë zgjedhur në grupin L dhe “djajtë e kuq” nuk pritet të kenë vështirësi në grup.

Para hedhjes së shortit në ceremoninë e mbajtur në Monako është dhënë çmimi për Eden Hazard si lojtari më i mirë i kompeticionit për sezonin e shkuar. Belgu ishte lideri i Çelsit në triumfin e titullit në maj.