Kulturë “Show me the Monet” e Banksy-t shitet për 7.5 milionë paundë

“Show me the Monet” e Banksy-t shitet për 7.5 milionë paundë

Ndonëse shumë aktivitete janë pezulluar në kohë pandemie, në ankande vijojnë shitjet e disa prej veprave artistike të cilat blihen edhe me shuma marramendëse.

Së fundi në ankandin e Londrës është shitur për 7.5 milionë paundë një vepër, një pikturë e impresionistit Claude Monet, ku është ndërthurur dora e artistit britanik të rrugëve Banksy.

Sipas shtëpisë së ankandit Sotheby’s vepra e vitit 2005 pritej të arrinte vlerën midis 3-5 milionë paund, por duket se edhe në kohë pandemie i kaloi pritshmëritë.

Në veprën “Show me the Monet”, Banksy përdori vaj në kanavacë për të rikrijuar pikturën shumë të qetë dhe të gjelbëruar të Monet, ku duket ura prej druri dhe zambakët, një pamje nga kopështi i artistit francez në Giverny.

Por në versionin e Banksy, idili është shndërruar në një vepër moderne, ku duken dy karroca të braktisura dhe një kon trafiku portokalli që notojnë në ujë.

Gjatë ankandit po ashtu u arrit të shitej edhe një pikturë e Pablo Picasso, “Tête d’Homme”, e cila u ble për shifrën e 5.2 milionë dollarëve dhe piktura e artistit japonez Kazuo Shiraga Chikaisei Shinsanshi, e cila u shit për 3.03 milionë dollar.