Ekonomi Shpallet fituesi në garën për koncesionin e aeroportit të Kukësit

Shpallet fituesi në garën për koncesionin e aeroportit të Kukësit

Një bashkim i dy operatorëve ekonomike shqiptare ka fituar garën për të marrë me koncesion aeroportin e Kukësit për 35 vitet e ardhshme.

Një investim rreth 8 milionë euro parashikon rehabilitimin dhe vënien në funksion të këtij Aeroporti, të ndërtuar 13 vjet më parë.

Aeroporti i Kukësit do të rehabilitohet dhe bëhet funksional nga një bashkim shoqërish shqiptare.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikes bën të ditur se ka mbyllur fazën e vlerësimit të ofertave dhe ka shpallur fituesin në garën e dhënies me koncesion/Partneritet Publik Privat të Aeroportit të Kukësit.

Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k., me vlerë investimi gati 8 milionë euro, është identifikuar nga komisioni si oferta e suksesshme.

Ky bashkim operatorësh ekonomike, në bashkëpunim me kompaninë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve, do të kryejë investimin në vlerën e lartpërmendur me synim rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e aeroportit të Kukësit tek shteti pas periudhës 35-vjeçare të koncesionit.

Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj. Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë për transportuesit me kosto të ulët, duke qenë se nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët.

Pas  hapjes së ofertave,  Komisioni i dhënies me koncesion konstatoi se kishte paraqitur ofertën e tij për këtë procedurë një bashkim operatorësh ekonomike, ndërsa operatorët të cilët kishin marrë më parë bonusin prej 8% të pikëve nuk ishin paraqitur në këtë garë.

Aeroporti i Kukësit u ndërtua nga kompania Al-kharafi nga Emiratet e bashkuara Arabe, që kishte përfaqësuesin e saj në Shqipëri.

Ndërtimi i tij filloi më 10 maj 2003 dhe përfundoi më 31 tetor 2005.

Pas përfundimit të ndërtimit në 2016 në aeroportin e Kukësit u instaluan pajisjet e navigimit.