Aktualitet Shpejtësi 200 km në orë, policia zbardh dinamikën e aksidentit tragjik me...

Shpejtësi 200 km në orë, policia zbardh dinamikën e aksidentit tragjik me 4 viktima

Policia Rrugore ka zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik në Fushë Prezë ku humbën jetën 4 të rinj.

Sipas referimit të kamerave të sigurisë automjeti tip Mercedes Benz ku ndodheshin të rinjtë ka parakaluar edhe kamionë të tjerë që lëviznin në rrugën Vorë-Fushë Krujë.

Më pas kanë hyrë sërish në karrexhatë dhe janë përplasur me betonierën që kishte ndaluar pa sinjalistikën përkatëse.

Drejtuesi 24-vjeçar i betonieres ka deklaruar se i kishte mbaruar nafta sapo kishte hyrë në rrugë kryesore dhe i ishte fikur mjeti. Ka provuar të ndezë dhe më pas ka shkuar në një karburant që ishte aty pranë për të marrë naftë.

Në dëshminë e tij ai thotë se ka harruar të ndezë bllokazhin e betonieres.

Sipas grupit hetimor përplasja ka qenë e fortë dhe ka ardhur për dy arsye për shkak të shpejtësisë së lartë dhe mungesës së fushëpamjes për shkak se mjeti ka parakaluar dhe nuk e parë betonieren e ndaluar.

Sipas policisë në momentin e përplasjes mjeti ka qenë më shpejtësi rreth 170 km në orë, ndërsa gjatë lëvizjes kur ka kryer dhe parakalimin mund të ketë qenë më shpejtësi rreth 200 km në orë.