Aktualitet Shpejtësia marramendëse, Policia Rrugore e habitur me shoferët shqiptarë

Shpejtësia marramendëse, Policia Rrugore e habitur me shoferët shqiptarë

Policia Rrugore është shfaqur e habitur nga fakti se ndëshkimet e rrepta, deri me heqje patentash në masë, nuk po i disiplinojnë shoferët shqiptarë në timon. Në të dhënën më të fundit mbi masat në aksin  Sauk–TEG (Unaza e Madhe e Tiranës), si dhe në apelin më të fundit, ajo thotë se vijon përdorimi i makinës së avion.

“Edhe pse kontrollet me radar janë shumëfishuar jo vetëm në Tiranë por në gjithë rrugët nacionale, pavarësisht se në fundjavë kontrollet janë akoma më të shtuara, fushatat sensibilizuese përditë e më shumë, përsëri ka akoma shumë drejtues mjetesh qe abuzojnë duke përdorur makinën si avion”, thuhet në njoftim për shtyp të Rrugores.

E megjithatë, paralajmërimet vazhdojnë: “Mos shpejtoni se në rastin më të mirë Radari dhe Polici Rrugor ju presin, në rastin më të keq ju pret aksidenti”.

Këto vijnë pas të dhënës rekord, ku thuhet se “për 200 minuta kontroll me radar,  duke i monitoruar nga mbikalimi, 9 Leje Drejtimi të tërhequra dhe dërguar në OASH, për shpejtësi 140 km/h – 173 Km/orë. Shpejtësi avioni gati dy herë më shumë se tabela, rrezik potencial për aksident”.

Rrugorja paralajmëron se 2020-ta përbën një objektiv në këtë drejtim.

“Viti 2020, viti i sigurisë rrugore, të parandalojmë në maksimum aksidentet me pasojë jetën dhe kjo do arrihet me kontributin e të gjithëve. Ndaj mos fluturo, ndërgjegjësohu dhe zbato rregullat e qarkullimi rrugor”, thuhet në njoftim.