Kryesore Shpenzimet mujore të shqiptarëve: Në Tiranë harxhojnë për rroba, në Dibër për...

Shpenzimet mujore të shqiptarëve: Në Tiranë harxhojnë për rroba, në Dibër për alkool

Pjesa më e madhe e shpenzimeve mujore për konsum nga familjet shqiptare shkon për nevoja jetësore, duke lënë shumë pak vend për shpenzime luksi dhe argëtim.

Nga 12 grupet kryesore të mallrave e shërbimeve, 71,5% e konsumit mujor në rang vendi shkon për baziket si: “Ushqim dhe pije jo-alkoolike”, “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar”, “Shëndet”, “Transport” dhe “Arsim”.

Shpenzimet për ushqim përbëjnë edhe gjysmën e konsumit total mujor për familjet shqiptare.

Në të gjithë vendin, për këtë grup shkojnë 48,7% e blerjeve dhe është në rritje vit pas viti për shkak të ngritjes së çmimeve.

Burimi: INSTAT

Qarku që shpenzon pjesën më të madhe për ushqime është Vlora me 53,3%, ndjekur nga Korça me 53,1% të konsumit mujor.

Më pak në këtë grup shpenzojnë familjet e ndodhura në Tiranë, ku ushqimi zë vetëm 44,5% të shpenzimeve mujore.

Në Vlorë, banorët paguajnë më shumë edhe për energjinë elektrike, ujin dhe qiratë, madje dhe më shumë se në kryeqytet. Për këtë grup, shpenzimet arrijnë në 11,9% të konsumit mujor.

Ndërkohë, qarku që shpenzon më pak për fatura dhe qira, është Gjirokastra.

Në Gjirokastër, ky kursim kompensohet nga shpenzimet për transportin, që zë 8,4% të konsumit mujor.

Në shëndetësi, mungesa e infrastrukturës në zonat e thella bën që në Dibër, shpenzimet për ilaçe dhe mjekime të zënë vetëm 1,9% të konsumit mujor. Ndërkohë, zona ku paguhet më shumë për këtë shërbim bazik është Berati.

Krahas shëndetësisë, Berati paguan më shumë edhe për arsimin, me 3,1% të kostove totale.

Sa i takon mallrave dhe shërbimeve të tjera të konsideruara shpenzime luksi, në Dibër shpenzohet dyfishi në “Pije alkoolike dhe duhan”, me 10,6% të konsumit mujor.

Tirana shpenzon më tepër për “Veshje dhe Këpucë” (6,2%) dhe për për “Argëtim dhe Kulturë” (3,6%).

Gjirokastra dhe Kukësi paguajnë më tepër për “Mobilim, pajisje shtëpiake” (5,9%); Kukësi paguan më tepër për komunikim (4,1%).

Në Berat shpenzohet më tepër në “Restorante dhe Hotele” (5%); ndërsa mallrat e tjera dhe shërbimet e mirëmbajtjes kushtojnë më tepër në Lezhë, ku zënë 7,6% të shpenzimeve mujore./SCAN