Sport Shpërthen Mema: Turp të pësosh në këtë mënyrë, lojtarët nuk kanë shpirtin...

Shpërthen Mema: Turp të pësosh në këtë mënyrë, lojtarët nuk kanë shpirtin e garës

Tirana u mposht me rezultatin 3-1 në transfertën mallakastriote ndaj Bylisit, ndërsa trajneri i bardhebluve Ardian Mema, në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” nuk e fshehu zhgënjimin e tij për humbjen dhe sjelljen e lojtarëve të tij në momente të caktuara.

A ishte një humbje e merituar?

Nuk do e thosha kështu, pasi mendoj se problemet i patën mbrojtësit në goditjet standarde. Nuk e kuptoj, të përgatisësh çdo gjë dhe të humbësh ndeshjen për një shpërqendrim, më vjen keq. Ia dhuruam ne fitoren kundërshtarit, pasi nuk është se Bylisi po sulmonte fort. Ato u munduan të punojnë fort për topin e parë. Më erdhi keq për mënyrën si pësuam. Ka një vit që punojmë me këto gjëra dhe nuk shkon kështu.

Të ngeli peng momenti i golit të tretë, që erdhi nga hiçi…

Kjo ishte tabloja e ndeshjes. Të tre golat ia dhuruam kundërshtarit. Sikur edhe të mos kishte trajner fare, lojtarët duhej të ishin të përqendruar e të mos pësonin ato gola. Kur pëson kështu golash, nuk di si ta quaj.

Jeni bërë pishman për ata që keni mbajtur në ekip?

Të pësosh gol nga goditje standarde, pa lëvizur askush, kjo nuk ka lidhje me trajnerin. Apo, edhe goli i dytë, për gabimin tonë. Kjo është një mos dëshirë, nuk ka lidhje me trajnerin. Të gjithë këto gola, kushdo të jetë trajner, nuk ka si t’i shmangë. Kur bëhet fjalë për manovra sulmi apo mbrojtje, mund të të mundë një ekip, por me gola të tillë të pësuar, nuk besoj se është çështje trajneri.

A jemi nxituar kur e kemi quajtur Tiranën pretendente për titull?

Sikur të merrja lojtarë edhe më të mirë, po të vepronin si sot, do mundeshim, ndaj nuk është pjesë menaxhimit të keq. Kemi bërë mirë dhe nuk është se jemi shkëputur nga kreu dhe u mbyll çdo gjë. Kampionati është i gjatë dhe këta lojtarë duhet vetëm të luajnë të përqendruar. Sidomos në sulm, kemi elementë shumë të mirë dhe Tirana nuk ka për të vuajtur asnjëherë përpara.

A duhej të ishit vendosur më mirë në fushë?

Bylisi luajti sipër që në momentet e para dhe pas golit, normal që do sulmonim pasi ishim në humbje, Nuk është çështje vendosjeje, pasi e thashë që mënyra se si pësuam 3 golat sot, nuk lidhet me strategjitë e trajnerit.

A e kanë thithur lojtarët shpirtin e garës së Tiranës?

Konstatim i drejtë. Tirana nuk ka shpirtin që e karakterizon. Mendoj se kjo është e vërteta. Asgjë më tepër.