Një shpërthim i fortë ka ndodhur në Paris, në një furrë buke.
Bilanci duket dramatik, me 2 zjarrfikës që kanë humbur jetën, ndërsa 37 të tjerë janë lënduar, 10 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Shpërthimi, sipas policisë është shkaktuar nga një rrjedhje gazi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 9 të mëngjesit, në një ndërtesë të lagjes turistike “Grands Boulevards”, afër muzeut “Grevin”, ku zjarrfikësit kishin ndërhyrë për një rrjedhje gazi.
“Shpërthimi ndodhi kur njerëzit ishin në rrugë dhe zjarrfikësit brenda godinës”, ka shpjeguar edhe ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner.
“Nuk do të hyj në detaje për viktimat njerëzore, por bilanci është i rëndë dhe serioz. Rreth 200 zjarrfikës janë mobilizuar, 100 policë janë të pranishëm. Situata tani është nën kontroll dhe të gjitha shërbimet mjekësore janë të mobilizuara”, tha ministri i Brendshëm, Christophe Castaner.
Edhe Prokurori i Parisit, Remy Heitz ka konfirmuar nga vendngjarja se shpërthimi është shkaktuar nga një rrjedhje gazi aksidentale.
“Fillimisht kishte një rrjedhje gazi, më pas mbërritën zjarrfikësit dhe ndodhi edhe një shpërthim që shkaktoi zjarr”, tha Rémy Heitz, prokuror i Parisit.
Përveç tyre, në vendngjarje kanë mbërritur edhe kryeministri Edouard Philippe, si dhe kryebashkiakja Anne Hidalgo. E gjithë kjo ndodh ndërsa në anën tjetër të Parisit, “jelekverdhët” nisën të mblidheshin para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, në zonën lindore të qytetit, për të 9-n fundjavë mobilizimi kombëtar.
Rreth 80 mijë oficerë policie janë në gatishmëri në të gjithë vendin.