Sport Shpëtim Duro merr drejtimin e Flamurtarit

Shpëtim Duro merr drejtimin e Flamurtarit

Ashtu si ishte paralajmëruar që dje, Shpëtim Duro ka marrë drejtimin e Flamurtarit.

Në këtë mënyrë, ka marrë fund epoka Mezani, i cili largohet pas disa muajsh në drejtim, ku duhet pranuar se ka pasur sukses, duke pasur parasysh kaosin te klubi kuqezi deri në ndërrimin e viteve.

Pas largimit të Maganit, pas heqjes së 6 pikëve dhe pas 5 muajve pa pagesa, i vetmi që mori përsipër madje me sukses drejtimin e skuadrës ishte Mezani.

Ky i fundit në tri raste në të shkuarën ka drejtuar skuadrën në kushte të vështira dhe në një farë mënyrë konfirmimi i tij në pankinë ishte një lloj shpërblimi për punën e bërë gjatë gjithë këtyre viteve në klub.

Tani, pas disa ndeshjesh të dobëta dhe pas eliminimit të turpshëm nga Besëlidhja, Idrizi nuk ka duruar më dhe ka kontaktuar menjëherë me Shpëtim Duron, me të cilin është gjetur shumë shpejt marrëveshja.

Tani trajneri i njohur merr një barrë të rëndë, sepse Flamurtari është në fundin e tabelës dhe ka presion të jashtëzakonshëm mbi vete, edhe pse në emra është një skuadër e shkëlqyer.