Kryesore Shpjegimi me detaje i ambasadës së SHBA: Si Vetingu po ndryshon e...

Shpjegimi me detaje i ambasadës së SHBA: Si Vetingu po ndryshon e drejtësinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka informuar sot mbi procesin e vetingut me anë të një videoje.

“Në videon tonë të fundit, ne ju njohëm me një përmbledhje të reformës në drejtësi.  Këtë javë, do të flasim për vetingun. Me siguri ju keni dëgjuar për këtë proces, por përse është vetingu i rëndësishëm? Përse reforma në drejtësi vendosi një proces rivlerësimi për gjykatësit dhe prokurorët dhe si do e ndryshojë kjo sistemin shqiptar të drejtësisë? Shihni këtë video dhe mësoni se si procesi i vetingut do të sigurojë që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit”, shkruan ambasada amerikane.

Në videon e ambasadës amerikane thuhet se, “në një sondazh të vitit 2012 25% e gjyqtarëve pranuan se në sallat e gjyqit kishte korrupsion. 57% e gjyqtarëve pranuan një nivel të caktuar ndërhyrjeje politike në vendimmarrjet e tyre. Kjo tregonte se sistemi i drejtësisë nuk ishte fort i drejtë.

Shumë qytetarë i shihnin gjykatat dhe prokurorët si institucionin më të korruptuar në Shqipëri. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar shiheshin si të “paprekshëm”, se vepronin mbi ligjin”.

“Vetingu shqyrton tri kategori, pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar, aftësitë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrton deklaratat dhe hetimet për pasurinë, informacionin mbi lidhje me krimin e organizuar si dhe historikun profesional të kandidatit. Kandidatët mund t’iu përgjigjen pyetjeve dhe të ofrojnë informacion shtesë përpara dhe gjatë seancës dëgjimore të tyre. Pas dëgjesës paneli i KPK merr vendimet bazuar mbi këtë informacion.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i përbërë nga ekspertë amerikanë dhe europianë mbikëqyr procesin. Ata mund të kërkojnë dokumente, të drejtojnë pyetje, të paraqesin opinione dhe të kërkojnë apelimin e një vendimi. Kandidatët që kalojnë vetingun vazhdojnë të shërbejnë si gjyqtarë dhe prokurorë. Ata që dështojnë bazuar në pasuri të pashpjegueshme apo lidhje me krimin, shkarkohen. Nëse gjyqtari apo prokurori gjendet i paaftë ai ose ajo shkarkohet ose mund t’i duhet që të kthehet në Shkollën e Magjistraturës”, ka nënvizuar ambasada e SHBA.

Sipas ambasadës së SHBA, “synimi i procesit të vetingut është të krijojë një sistem me gjyqtarë dhe prokurorë kompetentë. Në ditët e shkuara cilido me para apo pushtet mund të çonte vendimet e gjyqtarit apo prokurorit në favor të vet. Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar vetingun do të veprojnë sipas rregullave  dhe kushdo do të jetë i barabartë përpara ligjit”.