Sport Shprehje fyese e blasfemuese pas të kuqit, tre javë pezullim për Skriniar,...

Shprehje fyese e blasfemuese pas të kuqit, tre javë pezullim për Skriniar, edhe Conte në tribunë

Telashe për Interin e Antonio Contes, sepse pas barazimit të beftë 3-3 kundër Sassuolos në “San Siro” mbrëmjen e së mërkurës, tani do të duhet të bëjë për 3 javë pa mbrojtësin sllovak Milan Skriniar.

Ky i fundit u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutat shtesë të ndeshjes dhe la skuadrën me 10 futbollistë, ndërsa Gjykata Sportive vendosi ta pezullojë sot për 3 ndeshjet e ardhshme si dhe ta gjobisë me 10 mijë euro.

Në motivacionin e dënimit thuhet se lojtari është ndëshkuar dy herë me karton të verdhë brenda 90 minutave dhe ka përdorur shprehje fyese e blasfemuese, para se të linte fushën e lojës i detyruar.

Mbrojtësi zikaltër kreu një ndërhyrje të panevojshme në minutat shtesë të sfidës, për më tepër në një zonë të fushës ku kundërshtari nuk mund ta rrezikonte, ndërsa tani do të penalizojë më shumë të tijtë, duke qenë se edhe kalendari është mjaft i ngjeshur.

Klubi zikaltër pritet të bëjë një apelim të dënimit, i cilësuar i ashpër prej tyre, por njëkohësisht do të vendosë edhe një gjobë për futbollistin, për mungesë të përgjegjësisë në fushën e lojës.

Kujtojmë që përveç Skriniar, në sfidën e radhës ndaj parmës do të mungojë edhe Antonio Conte, i cili dje ka marrë një tjetër karton të verdhë dhe ka plotësuar numrin e tyre, ndaj do të jetë i detyruar ta shohë ndeshjen nga tribuna e boshatisur e “Tardinit”.