Opinione Shpresa dhe thika

Shpresa dhe thika

Një djalë 21-vjeçar vritet për një karikues celulari. Një tjetër vritet për gërvishtje makine pa dashje, në një bar, grindja nis se përse njëra palë vështroi palën tjetër,… Përditshmëria shqiptare është e mbushur me kronika të tilla, shpesh të pasqyruara edhe në mas-media, të cilat të gërvishin qetësinë dhe të pështjellojnë edhe më shumë duke bërë që të ndihesh pjesë e një realiteti të pasigurtë. Sipas statistikave, shumica e krimeve të tilla, i përkasin grupmoshës 17-24 vjeç.

Gjithnjë rinia është quajtur si shpresa e kombit dhe e shoqërisë, promotori i së ardhmes. Pa dashur të hyj në moralizime, po kujtoj vetëm një thënie: “Si është rinia sot, është atdheu nesër!” Pak rëndësi ka se kush e ka thënë këtë të të vërtetë, të cilën po ta mendosh thellë, të zhyt në trishtim.

Rinia shqiptare sot jeton në tehun e thikës. Nëse dikur bënte përshtypje sepse vdiste ndonjë i ri apo e re, sot përditë dëgjon për “luftë me grupeve”, “larje hesapesh”, apo togfjalësha dhe paradokse të ndryshme. Kjo është tragjike për shoqërinë shqiptare, e cila ende edhe sot nuk ka arritur të krijojë një profil të qartë. Natyrisht, asgjë nuk ka lindur nga asgjëja. Si vendi më i varfër në Evropë, shpesh herë edhe në emër të së shkuarës, fiseve dhe Kanuneve, krimi gjeti terren të përshtatshëm në Shqipëri. Pafuqia e shtetit i detyroi njerëzit të gjenin shpëtim tek klasa “e të fortëve”, të cilët shpesh, të detyruar edhe nga rrethanat, shihen me adhurim nga shtresa e gjerë e popullsisë, njësoj si Robin Hudi. Paradoksi më i madh në Shqipërinë e këtyre viteve është se kategoritë sociale përpiqen që t’i imponohen forcërisht njëra-tjetrës, aq sa sot nuk mund të themi se kemi një strukturë të qartë. Palët janë ngatërruar e ndërthurur me njëra-tjetrën.

Gjatë gjithë këtyre viteve të përfshira në krizë, familja shqiptare nuk mundi të tregojë se ishte një bërthamë e fortë. Prindërit, herë me dashje e herë pa dashje, duke iu nënshtruar sterseve të së përditshmes, harruan të merreshin me edukimin e fëmijëve, duke ua lënë këtë pjesë të rëndësishme për barrë shkollës dhe shoqërisë, ku njëra është më e shkatërruar se tjetra. Jeta shqiptare nisi të edukohej sipas legjendave urbane, ku të fortët që bënin karshillëk ndaj shtetit dhe shoqërisë nisën të mitizohen fuqishëm. Natyrisht që një shtysë e e madhe këtu është edhe mentaliteti i vjetër shqiptar, i cili gjithnjë shtetin e sheh si armik të tijin. Nga ana tjetër, mas-media, ku me dëshirë e ku e imponuar, e vuri theksin më së shumti në kronikën e zezë dhe në kronikën rozë, duke prodhuar modele spekullativë. Këta modele, përballë pafuqisë së shtetit, varfërisë ekonomike dhe sociale, krijuan idenë tek të rinjtë se paraja dhe luksi arrihen me një jetë të lehtë, ku për të pasur atë që do, mjafton të jesh i fortë, të mbash thika dhe armë me vete dhe të kundërshtosh gjithkënd pa t’u dridhur qerpiku.

Situata në të cilën ndodhet sot rinia shqiptare i ngjan një telenovele horrori të pafundme. Është histori armësh, thikash, naçosh, pabesh, makinash luksi, etj. Kjo është situata ku vet ne e kemi futur me dashjen tonë, me dashjen e “shtetit të ri çerekshekullor”. E keqja është se, ndryshe nga shumë vende të tjera, në Shqipëri, duke e parë këtë gjendje, jetën e rinisë në tehun e thikës, e ardhmja duket e errët. Jo për ne, por për vet ata dhe vendin.

KLITON NESTURI/ http://klitonnesturi.blogspot.al/2017/09/shpresa-dhe-thika.html