Aktualitet Shqetësim për autoritetet në Britani, por lajm i mirë për emigrantët shqiptarë

Shqetësim për autoritetet në Britani, por lajm i mirë për emigrantët shqiptarë

Numri i lartë i emigrantëve të parregullt në Britani të Madhe ka shqetësuar autoritetet britanike.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre emigrantëve janë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në kushte ilegale.

Kryetarja e sindikatës së punonjësve të kufirit britanik, Lucy Moreto ka paralajmëruar se është e pamundur që të gjurmohen me qindra emigrantë që hyjnë ilegalisht në vend.

“Nëse je në këtë vend ilegalisht, mund të mbijetosh shumë mirë. Mund të kesh akses në shërbimet mjekësore, fëmija shkon në shkollë dhe shanset për t’u kapur janë shumë të pakta. Nëse nuk shkelin ligjin, nuk mund t’i kapim pasi nuk kemi burime njerëzore”, tha Lucy Moreto.

Ky shqetësim i saj vjen disa ditë pasi “Daily Mail” publikoi foto të emigrantëve shqiptarë të fshehur nëpër kamionë dhe që kanë hyrë ilegalisht në Britani të Madhe.

Ajo thotë se është shkurtuar stafi i punonjësve të emigracionit dhe për këtë arsye është e pamundur që autoritetet të zbulojnë emigrantët e parregullt në vend.

Sipas ish-drejtorit të përgjithshëm të zbatimit të emigracionit, David Wood, në shtetin ishullor ka më shumë se 1 milion emigrantë të parregullt.

Sipas tij, gjasat që të deportohen në vendet e origjinës janë shumë të vogla.

Gjërat vështirësohen pas BREXIT, për shkak të kushteve të reja që do të ketë për qytetarët e vendeve të BE-së.

Kjo e bën të pamundur kontrollin e të gjithë qytetarëve jo britanikë, gjë që pritet të shkaktojë probleme me emigracionin.

Zyrtarët pretendojnë se duhet një numër më i madh në stafin e zyrave të emigracionit, por të tjerë thonë se çështja e emigracionit duhet të gjykohet mbi bazën e rezultateve dhe jo nga numrat e stafit.

E megjithatë, ky shqetësim që kanë autoritetet britanike për të përballuar emigracionin e paligjshëm, duket se është një lajm i mirë për emigrantët shqiptarë ilegalë që u shmangen kontrolleve.